Ndalesë qarkullimi për autobusë në rrugën Tetovë – Kodra e Diellit!

Për shkak të reshjeve të dendura të borës, në aksin rrugor Tetovë – Kodra e Diellit, nga ora 9:25 është vendosur ndalim për qarkullimin e autobusëve, ndërsa për automjetet është e detyrueshme përdorimi i pajisjeve dimërore (zinxhirë), njofton Lidhja Auto Moto e Maqedonisë.

Më herët, LAMM njoftoi se në orën 5:15 të mëngjesit ishte vendosur ndalim për kamionët në rrugën Strugë – Qafë Thanë. Qarkullimi në rrugët e vendit zhvillohet në kushte dimërore, mbi rrugë të lagura. Reshje bore me intensitet të ndryshueshëm janë regjistruar në Kumanovë, Straçin, Krushevë, Zheleznec, si dhe në kalimet malore Strazhë, Bukovë, Gjavatë dhe Presekë.

Nga ora 10:00 në pikën kufitare Niki (Mexhitlija) do të ketë ndalim për qarkullimin e automjeteve të ngarkuara, i cili do të zgjasë për 48 orë deri më 10 janar në ora 10:00. Qarkullimi për automjetet personale do të zhvillohet normalisht.