Të mbytur në mbeturina dhe ndotje: Mjedisi jetësor edhe vitin e kaluar ishte shqetësimi më i vogël i politikanëve në RMV

Ajër i ndotur, mbeturina si në rrugë ashtu edhe në natyrë, lumenj të bllokuar nga hidrocentrale të vegjël që mezi prodhojnë energji elektrike, por që bëjnë një fitim të mirë, zona të mbrojtura të padefinuara që janë në dispozicion të uzurpatorëve dhe “investitorëve”, kontroll i dobët inspektues dhe mungesë kronike e inspektorëve. Zjarr i tmerrshëm në të cilin u dogjën mbeturina plastike dhe elektronike, por pas të cilit në mjedisin jetësor nuk u ndot asgjë, as toka, as uji, as ushqimi, zjarr edhe në deponinë Vardarishte, e cila është brenda qytetit, por askush ende nuk e ka parë të arsyeshme ta pastrojë atë e lëre më të merret me një grup njerëzish që e përdorin atë për biznes, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Vazhdim i betonimit të Ohrit dhe Matkës, zvarritje e pastrimit të deponisë së vogël me lindan në OHIS dhe dështimi i plotë i pastrimit të zgjyrës nga shkritorja e Velesit. Sasi të mëdha të mazutit në kazanët e institucioneve shtetërore, shumë dru dhe mobilje të lyera me llak në sobat shtëpiake dhe shumë qymyr në RE.

Viti i kaluar 2025 nuk ishte shumë ndryshe në aspektin e mbrojtjes së mjedisit jetësor krahasuar me vitet e mëparshme. Lista është e gjatë, vazhduan po të njëjtat situata negative, ndërsa disa madje edhe janë përkeqësuar. Ndjenja se kjo është tema e fundit në mendjet e vendimmarrësve është ende e pranishme fuqishëm. Angazhimet për përmirësim shpesh mbeten vetëm në letër, ndërsa një shembull i mirë për këtë është Programi planor për ajër më të pastër 2024 – 2030, për të cilin, pasi u miratua, asnjë institucion nuk ka dalë të thotë nëse dhe cila masë është zbatuar ose ka filluar të zbatohet.

Vitin e kaluar banorët e kryeqytetit patën mundësinë të përjetojnë edhe një krizë lidhur me mbledhjen e mbeturinave nga amvisëritë. Diçka që deri më tani të gjithë e konsideronim një punë rutinë vetëm brenda pak ditëve u shndërrua në një katastrofë duke e rrezikuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve. E kemi përjetuar dhe shkruar shumë herë se sistemi dhe institucionet funksionojnë dobët, por rrallë ka ndodhur që qindra mijëra qytetarë të jenë lënë njëkohësisht të përballen me tonelata mbeturina në rrugë, trotuare, para shkollave, kopshteve dhe me minj dhe qen endacakë që ushqehen me mbeturina ushqimore. Ato pamje ishin përballja jonë me realitetin se ndërsa po e presim ndërtimin e deponisë të parë evropiane, e cila ngeci në tenderin për zgjedhjen e një kontraktori, në fakt, kur bëhet fjalë për çështjen e mbeturinave ne jemi shumë pas në kohë.

Por jo vetëm deponia, prej vitesh kanë ngecur edhe ligji për ujin, natyrën, veprimin klimatik, si dhe ligjet për shpalljen e zonave të reja të mbrojtura, e bashkë me to kanë ngecur edhe shpresat tona se së shpejti do të ndryshojë diçka në mjedisin jetësor dhe se do të ndihemi më afër vendeve të rregulluara evropiane.

Në dy vitet e fundit shteti nuk ka shpallur asnjë zonë të re të mbrojtur, proceset për Bellçisko Bllaton, Studençishko Bllaton, Kozhufin, si dhe ka mbetur e papërfunduar dhe rishpallja e Parkut Nacional “Mavrova” dhe monumentit natyror “Matka”. E pasigurt është edhe mbrojtja e lumit Doshnica, i cili rrezikohet nga dy hidrocentrale të vogla. Një nga lumenjtë e fundit të pastër në vend është ruajtur nga popullata vendase për javë të tëra, ndërsa atë e ka vizituar edhe Greta Thunberg, por rreziku nga bagerrët nuk ka kaluar ende, sepse Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor, e cila ishte pa ministër plot katër muaj, nuk heq dorë nga vazhdimi i koncesionit.

Dhe asesi të dalim nga rrethi vicioz. Pritja që diçka të ndryshojë për ne është bërë një përjetësi, ankesat në rrjetet sociale janë bërë zakon ndërsa ndërmarrja e veprimeve është diçka që e shmangim me shumë sukses. Konstatimi se sistemi nuk funksionon është absolvuar, por duhet ta pranojmë që përgjegjësia personale dhe shembulli personal nuk janë pika jonë e fortë. Institucionet drejtohen nga njerëz, politikanë, të cilët janë shumë rehat sepse për dekada nuk e kanë ditur se çfarë është përgjegjësia.

Për fund, Evropa po na pret. Përderisa ne thithim ajër të tmerrshëm dhe jemi të lumtur kur përqendrimet e PM10 dhe PM2.5 janë në maksimum 50 mikrogramë për metër kub ose pak më shumë, direktiva e re evropiane shkoi më tej dhe vendosi standarde edhe më të rrepta, kufiri vjetor për PM10 reduktohet në 20 mikrogramë. Maqedonia po përgatit një ligj të ri për cilësinë e ajrit ambiental, i cili pritet këtë vit por është e vështirë të thuhet se kur do të jetë kur qytetet në Maqedoni do të kenë ajër të pastër.

Kujtojmë se Maqedonia po ngec në qasjen e saj ndaj standardeve të BE-së për mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Ky ishte edhe konkluzioni i “Raportit të katërt në hije të kapitullit 27” nga Platforma 27, për periudhën 2024-2025. Ai mbulon 2 vjet, nga fillimi i vitit 2024 deri në fund të nëntorit 2025, dhe titullohet “Progresi në vend”. Analiza tregon progres minimal ose aspak në sektorët kryesorë.

Raporti arrin në përfundimin se ligjet kryesore për ujin, natyrën, veprimin ndaj klimës dhe zonat e reja të mbrojtura kanë ngecur në sistem për vite me radhë. Ndotja me grimca PM10 dhe grimca shumë të dëmshme PM2.5 mbetet mbi kufijtë evropianë, ndërsa Maqedonia është larg përmbushjes së standardeve të reja, më të rrepta të BE-së. Disa nga përfundimet janë: mbeturinat ende po hidhen në deponi nën standard, përzgjedhja dhe riciklimi janë minimale, nuk janë shpallur zona të reja të mbrojtura, proceset për Belçisko Blato, Studençisko Blato dhe Parkun Kombëtar të Mavrovës janë të papërfunduara.