Ndërhyrja në Venezuelë e bën edhe më të fortë mungesën e perspektivave për politikanët “non grata” në Ballkan

Shkruan: Mero Baze

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një hap vendimtar për të vendosur nën kontroll Venezuelën, duke rrëzuar nga pushteti dhe çuar drejt SHBA-së presidentin e kontestuar të vendit dhe gruan e tij.

Operacioni, i cili u parapri nga paralajmërime të ashpra të Presidentit Trump, që e shikonte Venezuelën si një qendër të trafikimit të drogës drejt tregut amerikan, u pasua nga disa goditje kundër objektivave të dyshuar për trafik të drogës në rajon dhe përfundoi sot me sulmin mbi kryeqytet dhe kapjen e Presidentit Maduro dhe gruas së tij.

Pjesë e retorikës amerikane kundër Venezuelës ka qenë legjitimiteti i Presidentit Maduro, standardi i demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe shkelja e të drejtave të njeriut, e cila i ka kushtuar sanksione disa figurave kyçe të qeverisë Maduro, të cilat janë shpallur “non grata” nga SHBA.

Por përtej kësaj, SHBA-ja ka marrë një sërë sanksionesh edhe ndaj burimeve energjetike të Venezuelës që kufizojnë eksportet dhe synojnë kontrollin mbi sektorin e energjisë.

Mbi të gjitha, SHBA-ja është e shqetësuar për influencën e Kinës, Rusisë dhe Iranit në Venezuelë, përfshirë bashkëpunimin ushtarak, ekonomik dhe teknologjik.
Kina është klienti kryesor i naftës së Venezuelës. Rreth 80% e eksporteve totale të naftës venezueliane shkojnë tek Kina, përmes kontratave direkte ose ndërmjetësve. Sasia e importeve në vitet e fundit ka qenë në qindra mijëra fuçi në ditë: p.sh. rreth 600,000–750,000 fuçi në ditë, kundrejt 222,000 fuçive naftë bruto në ditë që ka marrë nga Venezuela SHBA-ja gjatë vitit 2024. Nëse barrierat politike dhe sanksionet do të hiqen dhe vjen në pushtet një qeveri më lojale me SHBA-në, atëherë Venezuela mund të jetë partneri kryesor i furnizimit me naftë.

Zhvillimet në Venezuelë do të kenë ndikim të gjerë në ndikimin e politikës së SHBA-së në botë dhe sidomos në raportet e SHBA-së me vendet në konflikt me të, duke qenë një shembull ndëshkues i jashtëzakonshëm. Edhe pse vendimi do të hapë shumë debate rreth legjitimitetit të sulmit, ai do ta ndajë botën pro dhe kundër SHBA-së, jo aq për standardet ndërkombëtare sesa për sferën e influencës së SHBA-së në botë.

Shqipëria dhe Kosova janë nën sferën e ndikimit amerikan si aleatë të saj. Edhe pse nga pikëpamja gjeopolitike nuk kemi rezervat energjetike të Venezuelës dhe jemi larg ndikimit rus dhe kinez, SHBA-ja ka sanksionuar një sërë politikanësh dhe biznesmenësh si “non grata” për të shmangur ndikimin e tyre në politikat udhëheqëse të vendeve tona dhe ka paralajmëruar se politika e sanksioneve do të vazhdojë kryesisht ndaj udhëheqësve që minojnë demokracinë dhe stabilitetin në Ballkan.

Ndërhyrja në Venezuelë e bën edhe më të fortë mungesën e perspektivave për politikanët “non grata” në Ballkan dhe na bën të rëndësishëm si aleatë, jo se kemi naftë apo pasuri të tjera natyrore, por se jemi pjesë e një rajoni ku SHBA-ja aktualisht kërkon të ruajë ndikimin e saj kundër fuqive të mëdha jomiqësore me të.