Drejtori i Doganave të RMV-së: Në vitin 2025 u arkëtuan 2.14 miliardë euro, 105 milionë euro më shumë se në vitin 2024

Drejtoria e Doganave  gjatë vitit 2025 arkëtoi të ardhura prej 131,6 miliardë denarësh ose 2,14 miliardë euro, që paraqet një rritje prej 5,2% ose 105,1 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2024. Rritje është shënuar në të gjitha bazat – arkëtimi i të ardhurave nga doganat shënon rritje prej 15,5%, nga tatimi mbi automjetet motorike 12,5%, nga akcizat 5,9% dhe nga TVSH-ja në import 3,2%, transmeton Portalb.mk.

“Në nivel vjetor kemi rritje të vazhdueshme të të ardhurave, ku rritja më e madhe në përqindje prej 10,6% është shënuar në muajin dhjetor, gjatë të cilit u realizua arkëtim i të ardhurave prej 190,2 milionë euro. Kumulativisht për të gjithë vitin 2025 kemi arkëtuar të ardhura prej 2,14 miliardë euro ose 105,1 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. Të dhënat tregojnë qartë rritjen e efikasitetit të Drejtorisë së Doganave në arkëtimin e të ardhurave. Kjo nënkupton më shumë mjete për investime kapitale që do të gjenerojnë rritje të qëndrueshme ekonomike – më shumë mjete për shëndetësi, arsim, çerdhe dhe shkolla të reja, si dhe për investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore”, thekson drejtori Boban Nikollovski.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut gjatë vitit 2024 ka pasur rënie të eksportit për 6.6 përqind dhe importit për 0.8 përqind në krahasim me vitin 2023.

“Vlera e përgjithshme e mallrave të eksportuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut, e shprehur në euro, në periudhën janar – dhjetor të vitit 2024, është 7 781 200 000 000 euro, ndërsa vlera e mallit të importuar është 11 062 400 000 000 euro”, raportoi në fillim të vitit të kaluar Enti Shtetëror i Statistikave.