Ministri Aliu në vizitë tradicionale të Vitit të Ri te foshnjat e para të lindura në vitin 2026

Në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, foshnja e parë e lindur në vitin 2026 është vajzë, ndërsa në Spitalin Special për Gjinekologji dhe Obstetrikë “Nënë Tereza” – Çair, foshnjat e para të vitit 2026 janë binjakë – vajza.

Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot realizoi vizitën tradicionale të Vitit të Ri në të dy institucionet, i shoqëruar nga Fatmir Limani – ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Orce Gjorgjievski – kryetar i Qytetit të Shkupit, Jovica Andonovski – zëvendësministër i Shëndetësisë, si dhe Rozi Mickoska – bashkëshortja e Kryeministrit. Në vizitën në Spitalin Special “Nënë Tereza” – Çair, mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

Ministri uroi familjet, duke iu dëshiruar shëndet të mirë, lumturi dhe një fëmijëri të qetë foshnjave të porsalindura, si dhe shprehu mirënjohje dhe vlerësim për punonjësit shëndetësorë për përkushtimin, profesionalizmin dhe kujdesin që ofrojnë çdo ditë.

“Lindja e foshnjës së parë në vitin e ri është simbol i një fillimi të ri, shprese dhe jete. Detyrimi ynë është të sigurojmë një sistem shëndetësor ku çdo nënë dhe çdo fëmijë të marrin kujdes shëndetësor të sigurt, cilësor dhe dinjitoz.”,- theksoi ministri Aliu.

Vizitat u realizuan në një atmosferë festive, me mesazh për kujdes të vazhdueshëm ndaj nënave dhe foshnjave të porsalindura, si dhe për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve në shëndetësinë publike.