Në natën e Vitit të Ri, Kurti te policët dhe ushtarët e Kosovës

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, me rastin e festës së Vitit të Ri, i vizitoi policët dhe ushtarët e Kosovës, që shërbejnë në natën e ndërrimit të moteve.

Gjatë qëndrimit të tij në stacionin qendra, me pjesëtarët e rendit, Kurti shprehu vlerësoi, të lartë për angazhimin e tyre.

“Shpreh vlerësimin tim të lartë për të gjithë djemtë e vajzat tona në uniformë, të cilët me përkushtim, profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë kontribuojnë çdo ditë në garantimin e rendit, ligjit dhe sigurisë publike në Republikën tonë”, deklaroi Kurti.

“Për Vitin e Ri, u uroj shëndet, mbarësi, begati dhe suksese të vazhdueshme në detyrën e tyre fisnike. Falë punës së tyre, qytetarët tanë festojnë me më shumë qetësi dhe siguri”, theksoi ai.

Kurse fiks në ora 00:00, shefi i ekzekutivit në detyrë shkoi dhe takoi edhe ushtarët e FSK-së ku u prit nga komandanti Bashkim Jashari.

“Me profesionalizëm, disiplinë dhe përkushtim të palëkundur, ushtarët tanë mishërojnë vlerat më të larta të sakrificës dhe përgjegjësisë për sigurinë e Republikës sonë. Ata janë garanci për paqen në vend dhe për një të ardhme të sigurt të Republikës”, tha i pari i Qeverisë në detyrë transmeton Klankosova.tv.