Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka njoftuar se janë ndarë shtatë vendime të përhershme pune për punonjësit e çerdhes “Fatosat”, një hap që synon forcimin e stabilitetit institucional dhe sigurisë në marrëdhëniet e punës.
Sipas njoftimit, në kuadër të këtyre vendimeve dhe angazhimit për përmirësimin e funksionimit të çerdhes, është bërë kategorizimi dhe sistemimi i grupeve të fëmijëve, si dhe është vendosur një orar i ri pune, i harmonizuar me nevojat e prindërve dhe fëmijëve.
Një risi tjetër e rëndësishme është zgjerimi i shërbimeve të çerdhes, e cila tashmë pranon edhe foshnje nga mosha 9 muaj, duke u ofruar mbështetje më të madhe familjeve në komunitet.
Po ashtu, është paralajmëruar organizimi i mbledhjeve të rregullta me prindër, me qëllim shkëmbimin e ideve dhe propozimeve për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimit dhe rritjen e mirëqenies së fëmijëve.
Kryetari Beqiri ka theksuar se këto masa janë pjesë e përkushtimit të komunës për të ndërtuar institucione më funksionale dhe shërbime më cilësore për qytetarët e Haraçinës.




