Bekim Sali, edhe zyrtarisht emërohet Zëvendëskryeministër i Parë i Maqedonisë së Veriut

Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, ka njoftuar se në seancën e sotme të Qeverisë është emëruar zyrtarisht në këtë funksion të lartë shtetëror, duke e cilësuar këtë emërim si një përgjegjësi të thellë morale dhe kombëtare.

“Me ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe përulësie, kam nderin t’ju njoftoj se në seancën e sotme të Qeverisë jam emëruar në pozitën e Zëvendëskryeministrit të Parë”, ka deklaruar Sali.

Ai theksoi se pozita e re nuk përfaqëson thjesht një titull formal, por një detyrim serioz ndaj qytetarëve dhe shtetit.

“Ky emërim për mua nuk është thjesht një funksion apo titull. Është një barrë e madhe besimi, një obligim moral dhe kombëtar për të qenë në shërbim të secilit qytetar, pa dallim”, u shpreh ai.

Duke folur për punën e Qeverisë gjatë gati dy viteve të fundit, Sali vlerësoi se rezultatet konkrete janë dëshmi e përkushtimit institucional, duke përmendur projekte të rëndësishme në fusha kyçe.

“Punësimi dhe avancimi i mijëra të rinjve e të rejave, ndarja e mjeteve për ndërtimin e Kampusit të Universitetit ‘Nënë Tereza’, mbështetja financiare për çdo komunë, zgjidhja e çështjes së Medresesë, rritja dhe zhvillimi ekonomik – janë vepra konkrete që flasin më shumë se fjalët”, tha Zëvendëskryeministri i Parë.

Megjithatë, ai nënvizoi se përpara Qeverisë qëndrojnë ende shumë sfida dhe projekte të rëndësishme që kërkojnë angazhim të vazhdueshëm.

“Rruga përpara nesh është ende e gjatë. Kemi shumë projekte për të realizuar dhe sfida për të përballuar. Koha nuk pret”, theksoi Sali, duke shtuar se institucionet do të punojnë me intensitet të shtuar për realizimin e premtimeve të dhëna.

Në përmbyllje, ai shprehu besimin se puna e përbashkët do të japë rezultate pozitive për qytetarët dhe shtetin.

“Me besim në Zotin, në njerëzit tanë dhe në të ardhmen që po ndërtojmë së bashku, uroj që puna jonë të jetë e mbarë dhe që në fund të kësaj rruge të dalim faqebardhë para qytetarëve dhe para historisë”, përfundoi Sali.