Njëvjeçari humb jetën në Prizren pasi shtëpia u përfshi nga zjarri

Një fëmijë 1-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e tymit në një shtëpi që është përfshirë nga zjarri në Prizren.

Tre fëmijë të tjerë kanë shpëtuar dhe po  marrin trajtim mjekësor, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

 Nuk dihet ende se cilët janë shkaktarët e zjarrit, ndërsa Policia po heton rrethanat.

“Sot, më datën 30.12.2025, rreth orës 10:00, është raportuar për një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të qytetit të Prizrenit. Si pasojë e zjarrit, një fëmijë rreth moshës 1 vjeç ka humbur jetën, ku dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e tymit. Tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë, ku po marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor. Njësitë emergjente kanë reaguar menjëherë dhe zjarri është lokalizuar pothuajse plotësisht. Ekipet përkatëse vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes. Shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore”, ka thënë Bytyqi.