Osmani: Përulemi para burrave e grave që u ngritën kur liria ishte vetëm ëndërr

Presidentja Vjosa Osmani në Ditën e Veteranit ka thënë se veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë dëshmia se liria nuk dhurohet por fitohet me guxim dhe sakrificë.

“Në Ditën e Veteranëve të UÇK-së, përulemi me respekt të thellë para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr. Sot, në Ditën e Veteranëve të UÇK-së, përulemi me respekt të thellë para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr. Ata u bënë mburojë e popullit, zë i atdheut dhe shpresë në kohën më të errët. Veteranët e UÇK-së janë dëshmia se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim dhe sakrificë. Rrugëtimi i tyre drejt lirisë u kurorëzua me dinjitet dhe fitore. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit. Nderim i përhershëm veteranëve të UÇK-së!” ka shkruar Presidenca në Facebook.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar këtë ditë, ditë krenarie dhe lavdie.

“Të dashur bashkëluftëtarë, kaluam së bashku ditë të paharruara, me vështirësi e flijime, të pikëlluar kur humbnim shokët, të lumtur kur korrnim fitore. Që nga sulmi i parë mbi familjen Jashari, që ndezi mobilizimin e përgjithshëm për liri e pavarësi, rruga jonë u bë rrugë sakrifice, vendosmërie dhe qëndrese. Bashkë mposhtëm armikun e i sollëm lirinë vendit krah aleatëve. Urime Dita e Veteranit, ditë krenarie e lavdie. Faleminderit për shërbimin ndaj atdheut!” ka shkruar ai.