Qeveria paralajmëroi masa për luftë kundër varfërisë te familjet me tre dhe më shumë fëmijë. Duke promovuar ambientet e rinovuara të Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Spitalin Shtetëror, kryeministri tha se qëndron fuqishëm pas politikave pro-life dhe për lindjen e sa më shumë fëmijëve. Megjithatë, pikërisht këto familje janë më të varfrat sipas raportit më të ri të Entit Shtetëror të Statistikave për vitin 2024. Sipas kryeministrit, masat do të shpallen në mënyrë sukcesive gjatë vitit 2026.
SHKALLA E VARFËRISË SIPAS LLOJIT TË AMVISËRISË
Lloji i amvisërisë | 2023 (%) | 2024 (%)
Amvisëri pa fëmijë në përkujdesje | 16.4 | 16.8
Amvisëri njëanëtarëshe (një i rritur nën 65 vjeç) | 24.2 | 28.7
Amvisëri njëanëtarëshe (një i rritur 65+ vjeç) | 20.0 | 23.2
Femër e vetme | 22.1 | 27.1
Mashkull i vetëm | 20.8 | 22.1
Amvisëri me dy të rritur nën 65 vjeç | 19.9 | 18.4
Amvisëri me tre ose më shumë të rritur | 10.1 | 9.5
Amvisëri me fëmijë në përkujdesje | 26.1 | 25.2
Prind i vetëm me fëmijë në përkujdesje | 45.0 | 45.8
Dy të rritur dhe një fëmijë në përkujdesje | 14.2 | 14.6
Dy të rritur dhe dy fëmijë në përkujdesje | 17.8 | 17.1
Dy të rritur dhe tre ose më shumë fëmijë në përkujdesje | 48.9 | 54.8
Amvisëri me dy të rritur | 21.1 | 21.6
“Ne si qeveri do të vazhdojmë të punojmë edhe më tej. I inkurajojmë komunat të vazhdojnë me projektin, ta quajmë, parcelizim për çifte të reja, 1 euro, lirimi nga taksat komunale. Ne si qeveri do të fillojmë të zbatojmë kthimin e taksave për nënat për fëmijën e parë, të dytë, të tretë, plus për çdo fëmijë të lindur më tej”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Edhe pse varfëria në vitin 2024 është ulur krahasuar me vitin 2023, si dhe me të gjitha vitet që nga 2020-ta, ajo është rritur te pensionistët. Mickoski thotë se ky tregues është një arsyetim i mirë për politikën e tyre të rritjes lineare të pensioneve.
Shkalla e varfërisë sipas statusit më të shpeshtë të aktivitetit ekonomik
Kategoria | 2023 | 2024
Të punësuar | 8.4 | 7.9
Të papunë | 47.5 | 45.7
Pensionistë | 11.3 | 12.0
Persona të tjerë joaktivë | 35.6 | 38.5
“Pres që tashmë sipas parametrit të Laekenit, pra shkalla e varfërisë në grupin e pensionistëve në vitin 2025 të përmirësohet në mënyrë dramatike. Sepse me rritjen lineare prej 2.500 denarësh në nëntor 2024, 2.500 denarë rritje lineare në prill për mars 2025, 1.000 denarë në nëntor për tetor, pres që në vitin 2025 të jetë dukshëm më mirë, përkatësisht shkalla e varfërisë te pensionistët të jetë më e ulët krahasuar me 2024 dhe 2023”, shtoi Hrisitjan Mickoski – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Mickoski thotë se qeverisë i përshtatet një pagë minimale më e lartë, por vetëm nëse ka marrëveshje mes punëdhënësve dhe sindikatës. Ai thotë se shporta konsumatore në Maqedoni është ndër më të lirat krahasuar me pagën minimale, pra fuqia blerëse në vend është më e mirë se në një pjesë të madhe të vendeve të rajonit. Sipas tij, këtë e tregojnë të dhënat e Eurostatit dhe atyre duhet t’u besohet, e jo krijuesve të shportës minimale sindikale.




