Vendimi për shpalljen e gjendjes së krizës për energjinë elektrike në Maqedoninë e Veriut, i arsyetuar me bllokadat e vendkalimeve kufitare nga fermerët grekë dhe pamundësia për të importuar mazut, sërish e ngre pyetjen nëse “kriza” do të përdoret si alibi për prokurime jotransparente të lëndëve djegëse dhe lidhje të kontratave pa konkurrencë publike?, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
Më 23 dhjetor Qeveria shpalli gjendje krize në furnizimin me energji elektrike pas kërkesës së kompanisë shtetërore “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (EMV) për t’i aktivizuar rezervat shtetërore të mazutit për shkak të problemeve me furnizimin nga Greqia.
“Rezervat e detyrueshme të derivatit të naftës – mazut do të lëshohen pa dëmshpërblim me qëllim që të sigurohet stabiliteti në sistemin elektroenergjetik, ndërsa Sh.A. EMV do të ketë detyrim që të dorëzojë rregullisht raporte për shpenzimin e mazutit deri te Qeveria dhe Ministria e Financave”, thonë nga Qeveria.
Sipas Ligjit për Energjetikë dhe Rregullores për kriteret dhe kushtet për shpalljen e gjendjes së krizës në gjendje krize Qeveria mund të vendosë masa që janë ndryshe nga rregullat e zakonshme të tregut, për shembull, të lidhë prokurime publike të shpejta dhe kontrata urgjente dhe t’i shfrytëzojë rezervat shtetërore.
Edhe pse për mazutin nga Greqia tashmë janë zbatuar prokurime publike, shpallja e gjendjes së krizës hap hapësirë që nëse shfaqen nevoja shtesë procedura të tilla të anulohen, paralajmëron profesori Borçe Davitkovski nga Fakulteti Juridik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, dhe shton se jo domosdoshmërisht do të jetë kështu në këtë rast.
“Ekziston mundësia që të shfrytëzohet gjendja për ndërhyrje, për shembull për importin e energjisë elektrike të lidhen tendere në katër sy”, thotë Davitkovski.
Indicie për abuzime në 2021 dhe 2022?
Institucionet deri më tani formalisht nuk kanë konstatuar abuzim kur Qeveria ka sjellë vendim për vendosjen e gjendjes së krizës. Por përvojat nga vitet e kaluara tregojnë se pikërisht në periudha të shpalljes së krizave energjetike janë lidhur kontrata me transparencë më të ulët, gjë që e rrit rrezikun nga korrupsioni dhe klientelizmi.
Këtë e konfirmojnë raportet e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) me indicie për abuzime, pas shpalljes së gjendjes së krizës në furnizimin me energji elektrike nga Qeveria në fund të vitit 2021 dhe pastaj gjatë vitit 2022.
KSHPK në vitin 2023 dokumentoi prokurime kontestuese të energjensëve, përfshirë prokurimet e mazutit për EMV dhe TEC Negotinë.
KSHPK atëkohë vërtetoi kontrata për furnizim me mazut me sasi dhe çmime të paprecizuara, anekse të kontratave pa logjikë të qartë ekonomike dhe me rrezik për buxhetin.
Bozhinovska – sistemi do të jetë stabil
Ministrja e energjetikës, Sanja Bozhinovska, pohon se kërkesa për vendosjen e gjendjes së krizës nuk do të ketë asnjë pasojë për qytetarët sepse shteti disponon me rezerva të mjaftueshme të mazutit.
Sipas Bozhinovskës problemet me importin e mazutit nga Greqia, si pasojë e bllokadave disajavore të vendkalimeve kufitare, nuk do të ndikojnë mbi stabilitetin e sistemit sepse ESM do të furnizohet nga rezervat shtetërore.
“Në shtetin tonë ka mazut dhe nuk do të ketë asnjë ndikim mbi furnizimin. Nëse nuk mund të sigurohet nga Greqia, atëherë do të përdoren rezervat”, deklaroi Bozhinovska.
Trajkovski – energji elektrike do të blihet me çmime të bursës
Por, sipas profesorit Dejan Trajkovski nga Universiteti “Shën Klimenti i Ohrit” – Fakulteti Teknik Manastir (FTM), situata do të shfrytëzohet që shteti të blejë energji elektrike nga prodhuesit privatë me çmime të bursës, njësoj si gjatë importit.
Si shembull ai e përmend kontratën me centralin me gaz TE-TO, i cili pas thirrjes publike të shpallur nga ESM më 16 dhjetor do të dorëzojë 104.160 megavat-orë energji elektrike me çmim prej 119,5 euro për megavat-orë, që do të thotë se gjatë janarit ESM do t’i paguajë rreth 12,5 milionë euro.
“Të zotët janë vetëm për blerjen dhe dhënien e provizioneve tregtarëve, në vend që të ndërtojnë”, thotë Trajkovski.
Maqedonia e Veriut prej vitesh një pjesë të qymyrit dhe mazutit të nevojshëm e siguron nga Greqia, sidomos për punën e termocentraleve në kushte kur prodhimi vendor nuk është i mjaftueshëm për ta kënaqur konsumin.
Por, shteti edhe blen energji elektrike, qoftë nga importi prej shteteve të tjera, por edhe nga prodhuesit privatë në vend, nga kompani vendore por edhe të huaja.
Protestat e fundit të fermerëve grekë që shkaktuan bllokimin e vendkalimeve kufitare, rrugëve, madje edhe porteve dhe aeroporteve, janë pjesë e një vale më të gjerë kombëtare të pakënaqësisë për shkak të vonesës së pagesës së subvencioneve bujqësore, si dhe rritjes së shpenzimeve të prodhimit dhe mungesës së mbështetjes nga shteti.




