120 vetura të reja për Policinë

Sot, në Ministrinë e Brendshme u promovuan 120 automjete të reja për nevojat e policisë së Maqedonisë. Në këtë aktivitet morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski.

Automjetet janë të destinuara për policinë e uniformuar.

Nga MPB njoftojnë se ato do të shpërndahen në njësitë organizative të policisë në të gjithë vendin dhe do të kontribuojnë në kryerjen më efikase dhe më të shpejtë të detyrave të përditshme policore.

Ministri Toshkovski theksoi se shpërndarja do të jetë e barabartë në nivel kombëtar, ku Shkupi, si qyteti më i madh dhe me nevojat më të mëdha të sigurisë, do të marrë një numër më të madh automjetesh.

Ministri Toshkovski theksoi se ky lloj prokurimi i automjeteve policore është i pari në 15 vjet, këto janë automjete moderne dhe të fuqishme me të cilat oficerët e policisë do t’i kryejnë detyrat e tyre shumë më me efikasitet. Toshkovski shtoi se ky prokurim është një tregues i qartë i angazhimit të Ministrisë së Brendshme për të krijuar kushte më të mira pune për oficerët e policisë.