Me nderime varroset i ati i Calit, Specialja s’ia lejoi vizitën

Është varrosur Jahja Mustafa, babai i Salih Mustafës – i dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për akuza që kanë të bëjnë me krime lufte.

Jahja Mustafa vdiq të enjten, ndërsa të birit i ishte refuzuar kërkesa për vizitë sa ishte sëmurë.

Salih Mustafa, i njohur si Cali, ka qenë komandant i një njësiti brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai qe dënuar fillimisht në dhjetor të 2022-tës për krime lufte me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Por, në dhjetor të 2023-tës, Apeli i Speciales ia ka ulur dënimin në 22 vjet burgim, para se paneli i Gjykatës së Panelit t’ia shqiptonte atij një vit më vonë një dënim të njësuar prej 15 vjetësh burgim, duke e llogaritur kohën e kaluar në paraburgim.

Mustafa është arrestuar dhe më pas është dërguar në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara më 24 shtator të vitit 2020. Procesi gjyqësor ndaj tij ka nisur më 15 shtator të 2021-tës dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe 15 të mbrojtjes. Gjatë gjykimit edhe tetë viktima kanë dhënë dëshmitë e tyre.

Mustafa është personi i parë që është dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë – që njihen edhe si Gjykata Speciale – lidhur me akuzat që kanë të bëjnë me krime lufte.