Agim Çeku, oficer i dalluar lufte në Kroaci, ish-komandati i UÇK-së e së fundmi kandidat për deputet në siglën e AAK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit vjen në një intervistë të padëgjuar më parë rreth angazhimit të tij në luftë e pastaj në paqe, për “Gazeta Blic”.
Çeku tha në rrëfimin e tij se pati fatin të luftoi për lirinë dhe pavarësinë e Kroacisë por se fati më i madh i tij ishte të kontribuojë për vendin e tij atëherë kur kishte më shumë nevojë.
Ai me emocion na tregon se pas ardhjes në Kosovës u emërua Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe pas luftës ishte komandant i trupava mbrojtëse të Kosovës dhe Ministër i FSK-së.
“Periudha e luftës më bën të ndihem krenar, më bën që të ndjehem si ushtarak i përmbushur plotësisht sepse ëndrra e çdo ushtaraku është që të arrij gradën më të lartë atë të gjeneralit që në luftra e beteja të dalë fitues. Unë këtë e kam përjetu, kam patur fatin që kam luftu edhe në Kroaci, për popullin kroat për pavarësinë e Kroacisë, jo vetëm unë por me mijëra shqiptarë kanë qenë pjesë e kësaj lufte dhe jemi bërë pjesë e pandashme e lirisë dhe pavarësisë së Kroacisë si komunitet shqiptar. Edhe kjo ka shërby si urë lidhëse mes dy vendeve tona, në ndërtimin e miqësisë së fuqishme, kështu që është një periudhë e mirë por ajo kryesorja është që pata fatin që kur pati nevojë vendi im, erdha me gjithë atë përvojë, me gjithë atë njohuri ushtarake që e kisha… erdha të ndihmoj edhe vendin tim, iu bashkova Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe fizikisht sepse shpirtërisht dhe në distancë kam qenë shumë herët i kyçur në këto rrjedha. Ma dhanë besimin që të jem Shef i Shtabit të Përgjithshëm, dolëm fituese edhe nga kjo luftë, dolëm fitues edhe nga përpjekja për të mbijetuar pas lufte sepse kërkesat e Rezolutës “1244” ishin që të shpërbëhej UÇK-ja…ne mbijetuam dhe formuam trupat e mbrojtjes së Kosovës. Kam patur nderin që për 7 vite të jem komandant i trupave mbrojtëse të Kosovës dhe pastaj pata fatin të jem edhe Ministër i FSK-së dhe gjatë periudhës sa isha ministër ne e bëmë rishikimin e sektorit strategjik të sigurisë dhe e bëm gati pakon që FSK-ja të jetë Ushtri i mirflilltë e Kosovës që sot edhe e kemi. Kështu që sa i përket kësaj vërtet nuk ka çfarë tjetër, s’ka mbetur diçka pa qenë pjesë dhe pa dhënë kontribut në këto drejtime që i përmenda. Ndjehem shumë mirë në atë drejtim, ndjehem me fat edhe jam krenar për këtë pjesë të së kaluarës time” deklaroi Çeku raporton “Gazeta Blic”.
Ish-komandanti i UÇK-së, Agim Çeku, na tregon se në të dy luftrat, si në Kroaci edhe në Kosovë, ka patur momente të vështira saqë siç thekson ai “nganjëherë edhe vdekja ka qenë e dëshiruar, lehtësim”.
“Ka patur shumë momente, edhe në luftën e Kroacisë edhe në luftën e Kosovës. Ndryshe i përjetoja në luftën e Kroacisë se kisha frikë mos kam fatin që të vij edhe në Kosovë, kam qenë i sigurtë se do të ndodhë edhe lufta në Kosovë, e ndjeja këtë. Ka patur shumë momente, ka patur momente aq të vështira saqë nga njëherë edhe vdekja ka qenë e dëshiruar, lehtësim….por ato harrohen, mbahen mend momentet e mira, momentet e lumtura kur fitonim beteja, kur e fitonim luftën. Eshtë një ndjenjë e veçantë që vetëm fituesit e kuptojnë, kështu që nuk dëshiroj t’i kujtoj ato të vështirat por vetëm të mirat” tha Çeku në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/




