Meloni me ‘batuta’ me stafin e Kryeministrisë për fundvitin: Viti që vjen do të jetë edhe më i vështirë

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni bëri një urim për festat e fundvitit drejtuar stafit të Zyrës së Kryeministrit. Gjatë fjalës së saj, ajo i ftoi bashkëpunëtorët të shfrytëzojnë ditët e Krishtlindjeve për të pushuar dhe për të rifituar energjitë, pasi sipas saj, viti që vjen do të jetë kërkues.

Takimi u mbajt të martën në ambientet e jashtme të Kryeministrisë, ku Meloni shprehu mirënjohjen për punën dhe përkushtimin e treguar nga stafi gjatë vitit që po lë pas. Ajo e cilësoi ekipin si një familje të bashkuar, duke theksuar se përballja me sfidat ka qenë e përditshme.

Me nota ironie, kryeministrja tha se edhe pse viti që kaloi nuk ka qenë i lehtë, sfidat nuk do të mungojnë as në vitin e ardhshëm, madje duke shtuar me shaka se situata mund të jetë edhe më e vështirë.

Në mbyllje, Meloni nënvizoi se përgatitja për detyrat që presin Italinë kërkon energji dhe përqendrim, ndaj pushimi gjatë festave është i nevojshëm për të vijuar punën me forcë të re dhe për t’iu përgjigjur pritshmërive të qytetarëve.

© SYRI.net