Trump nuk i ndan sytë nga Groenlanda edhe pas kundërshtimeve të europianëve: Na duhet për sigurinë tonë kombëtare

Shtetet e Bashkuara “kanë nevojë” për Groenlandën për të siguruar sigurinë e tyre kundër Kinës dhe Rusisë, theksoi presidenti amerikan Donald Trump të hënën, pavarësisht kundërshtimit nga vendet e BE-së ndaj çdo kontrolli amerikan mbi territorim danez.

“Ne kemi nevojë për Groenlandën për sigurinë tonë kombëtare”, tha presidenti në një fjalim nga Florida, me Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth në krah të tij.

“Nëse shikojmë bregdetin e Groenlandës, ka anije ruse dhe kineze kudo. Ne kemi nevojë për të për sigurinë tonë kombëtare”, këmbënguli ai, duke theksuar se banorët e Groenlandës “nuk mbrohen ushtarakisht” nga Kopenhageni.

Këto deklarata u bënë pas njoftimit nga kreu i shtetit të SHBA-së për emërimin e një të dërguari të posaçëm për këtë territor autonom danez, të cilin ajo kërcënon rregullisht ta aneksojë.

Ky emërim provokoi një reagim të fortë nga Kopenhageni dhe Bashkimi Europian, i cili shprehu dje, “solidaritetin e tij të plotë me Danimarkën”.

Kryeministrja e Groenlandës Jens-Frederik Nielsen dhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen kujtuan në një deklaratë se “kufijtë kombëtarë dhe sovraniteti i shteteve bazohen në të drejtën ndërkombëtare”.

“Askush nuk mund të aneksojë një vend tjetër. As në emër të sigurisë ndërkombëtare”, theksuan të dy udhëheqësit, duke shtuar se presin “respekt për integritetin tonë të përbashkët territorial”.

Ndërkohë, Kopenhageni thirri ambasadorin e SHBA-së. “Ne kemi vendosur një vijë të kuqe shumë të qartë”, tha Ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen.

“Për sa kohë që kemi një mbretëri në Danimarkë që përbëhet nga Danimarka, Ishujt Faroe dhe Groenlanda, nuk mund të pranojmë që disa njerëz të minojnë sovranitetin tonë”, paralajmëroi ai në transmetuesin publik DR.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa kujtuan, nga ana e tyre, përmes X, se “integriteti territorial dhe sovraniteti janë parime themelore të së drejtës ndërkombëtare”.

Trump njoftoi të dielën, emërimin e Guvernatorit të Luizianës Jeff Landry, një republikan, si të dërguarin special të SHBA-së në Groenlandë.

 

Top Channel