Berisha mbyll fjalimin, protestuesit hedhin bomba molotov drejt godinës së Kryeministrisë

Pasditen e sotme po zhvillohet protesta kombëtare e thirrur nga PD-ja, teksa kreu i demokratëve Sali Berisha, ka dalë nga selia dhe është nisur drejt Kryeministrisë.

Që në nisje ka pasur hedhje shashkash dhe brohoritma, të cilat e shoqëruan Berishën gjatë gjithë rrugës.

Krah kreut të demokratëve qëndronte Flamur Noka dhe Oerd Bylykbashi.

19:46 Molotov drejt policisë, një efektiv i lënduar nga protestuesit e opozitës

Përfundimi i fjalimit të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, u shoqërua me tensione. Molotov drejt policisë, një efektiv i lënduar

19:44 Berisha mbyll fjalimin, hidhet molotov te Kryeministria, flakë dhe tym

Berisha mbyll fjalimin, hidhet molotov te Kryeministria, flakë dhe tym.

19:43 “Do të marshojmë drejt Surrelit”, Berisha kërkon qëndresë nga demokratët: Ja do vdesim, ja do rrojmë për liri

“Na pyesin, çfarë do bëjnë këta? Jua them, ja do vdesim ja do rrojmë për liri. Dijeni mirë që kurrë nuk kemi humbur, kemi fituar, kemi fituar, do fitojmë. Po të japim fjalën që s’të ndahemi as në Surrel, marshim drejt Surrelit”, tha Berisha.

19:37 “Prokuror i guximshëm”, Berisha lavdëron SPAK, sulmon Kushtetuesen: Gjykatë turpi, e blerë nga Rama

Të guximshëm e ka quajtur Sali Berisha prokurorin e SPAK që kërkoi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, institucion që më herët e ka sulmuar. Ndërkohë Gjykatën Kushtetuese e ka quajtur të blerë dhe një ‘Gjykatë turpi’, që vendosi të rikthejë në detyrë Ballukun.

“Një prokuror guximtar pezulloi nga detyra zv. kryeministren, një gjykatë turpi u ble, një gjykatë supreme kryesore e Kombit i hoqi jashtë çdo rregulli masën e pezullimit dhe e ktheu në detyrë që të prishë çdo provë. Kërkesën për arrestimin e zv. kryeministres, Rama mori pushtetin e Parlamentit, kreu grusht shteti për të shpëtuar lëkurën e tij”, tha Berisha.

19:26 “Edi Rama, nga sot s’do njihesh më si kryeministër”, Berisha në protestë para Kryeministrisë: Jemi mbledh në moment kritik

Sali Berisha ka dalë para protestuesve të mbledhur në shesh, dhe u ka bërë thirrje që kjo protestë të vazhdojë deri në rrëzimin e Edi Ramës. “Në 10 vitet e fundit të këtij regjimi, shqiptarët janë pakësuar më shumë se nga çdo epidemi, nga çdo zi buke dhe çdo gjë tjetër. Shqiptarët në 10 vitet e këtij regjimi kanë shkuar 100 vite pas për lindshmërinë e tyre. Sot ata kanë humbur mbi gjysmën e rinisë së vet, kanë humbur të ardhmen dhe çdo vit bëhen gjithnjë e më pak”, tha Berisha.

19:09 “S’do ketë vrimë ku të fshiheni”, Balliu: Le t’i japim fjalën njëri-tjetrit, të mos tërhiqemi deri sa ta rrëzojmë Ramën

Deputeti i PD Klevis Balliu ka mbajtur një fjalim nga podiumi i ngritur para Kryeministrisë ku po mbahet protesta kombëtare e thirrur nga PD. “Kemi denoncuar për 12 vite sesi një narkoshtet ka vjedhur dhe i ka varfëruar shqiptarët. Sot nuk ka ilaçe nëpër spitale”, tha ai.

19:01 “Ne do të qëndrojmë në sheshe”/ Bardhi nga protesta e PD-së: Këtij pushteti i janë lëkundur themelet

“Forca juaj është kthyer në shpresën tonë të përbashkët, në shpresën e Shqipërisë. Prania juaj në këtë shesh madhështor do të thotë, që kjo shoqëri ka ende një zemër, guxim e çdo ndryshimi. Kam takuar shumë prej jush dhe revoltën tuaj për gjërat që po shkojnë keq, po në çdo takim që kam pasur me ju, kam marrë prej jush një mesazh, ju nuk dorëzoheni. Kam mësuar leksionin tim më të madh. Besimi dhe sakrifica do të na çojnë përpara, në largimin e Edi Ramës”, tha Gazment Bardhi.

18:54 “Institucione të kalbura”, Elda Hoti në protestën e demokratëve: Sot nuk kemi një qeveri

“Institucionet që duhet të na mbrojnë janë kthyer në institucione të kalbura. Të dashur qytetarë ne sot nuk kemi një qeveri. Sot është dita për qëndresë, të ngrihemi f[për fëmijët dhe prindërit tanë”, tha Elda Hoti.

18:43 Protesta kombëtare e PD-së, Këlliçi: Rama të japë dorëheqjen tani, si emergjencë kombëtare

“Qytetarëve që nuk e shitën dinjitetin, ju që denoncuat dhe qëndruat e folët atëhere kur ishte e rrezikshme, ja ku jemi dhe sa shumë që jemi. Mandati nuk është pronë, nuk është licencë për të vjedhur. Nëse e trajton vendin si plaçkë do të përgjigjet. Atë që do të vendosim sot do të jetë precedentë të ardhmen. Edi Rama duhet të japë dorëheqjen. Ai ka kohë që nuk është më kryeministër. Kur reziston dhe nuk i nënshtrohet asnjë pazari, ja kur vjen përmbysja, më e paimagjinueshmja. Ata që na shantazhonin sot shantazhohen mes tyre. Dorëheqje Edi Rama, dorëheqje dorëheqje”, tha Belind Këlliçi.

18:24 Berisha me deputetët e PD dhe mbështetës drejt Kryeministrisë, hidhen shashka

Sali Berisha ka dalë nga selia dhe është drejtuar për të Kryeministria aty ku do të mbahet protesta kombëtare. Berisha ka dalë i shoqëruar nga deputetët e PD, duke përshkuar rrugën në këmbë, ndërsa ndiqen edhe nga mbështetës. Gjatë kohës që Berisha ecën drejt Kryeministrisë, dëgjohen edhe zhurma nga hedhja e kapsollave ose shashkave.

18:12 Protesta para Kryeministrisë, në shesh Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi

Ndërsa do duhej të kishte nisur protesta kombëtare e thirrur nga PD në ora 18:00, ende po grumbullohen qytetarë. Lideri i PD ndodhet në seli, por në shesh është parë vajza e tij dhe dhëndri, Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi.

17:40 Pak para protestës kombëtare, Berisha mbërrin në selinë e PD

Pak para protestës kombëtare, e cila do të nisë në ora 18:00, Sali Berisha ka mbërritur në selinë e PD. Në shkallët e selisë ai është pritur nga mbështetësit e tij, që ndodhen në seli, për t’u drejtuar më pas para Kryeministrisë aty ku do të mbahet protesta.Kjo është protesta kombëtare e thirrur nga Berisha, pas disa foltoreve që mbajtura në mënyrë të përjavshme jashtë zyrës së Edi Ramës.Kërkesat e tyre janë largimi i qeverisë nga pushteti.