Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka arrestuar V.M ish-pjesëtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i dyshuar për përfshirje në kidnapimin e shtetasit kosovar Milan Vukashinoviq, ngjarje që kishte ndodhur më 01.11.2025 në Leposaviq.
Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka dhënë detaje përmes raportit 24 orësh.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ka bastisur shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, sipas urdhëresës së gjykatës.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar 9 telefona celularë, 1 llaptop, 3 dokumente A4, një pushkë gjuetie me 39 fishekë, një jelek për fishekë armësh dhe një tytë arme, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në hetime.
I dyshuari, mashkull, pas intervistimit nga prokurori është dërguar në mbajtje.
Operacioni është pjesë e përpjekjeve të autoriteteve për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të siguruar drejtësi për rastin e rëndë të rrëmbimit dhe tentativës për vrasje.
Policia dhe AKI po vazhdojnë hetimet për identifikimin e çdo personi tjetër të përfshirë në këtë rast dhe për dokumentimin e plotë të veprës penale.




