Dokumenti për paraburgimin e Merkos më shumë se 3 muaj i mbyllur në sirtarët e gjykatës

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre muaj, Gjykata e Apelit në Manastir ende nuk ka marrë vendim për ankesat e Prokurorisë së Strugës, lidhur me rastet ku i akuzuar ishte ish-kryetari i komunës, Ramiz Merko.

Prokurorët e Strugës kërkuan dënim efektiv me burg për të gjitha rastet. Ndërsa dosjet për Merkon mbeten në sirtarët e Gjykatës së Apelit, nuk ka përgjigje.

“Lëndët janë pranuar në muajt gusht dhe tetor të vitit 2025 dhe ende nuk janë zgjidhur”, thonë nga Gjykata e Apelit në Manastir për Alsat TV.

Për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në pesë shkolla, Merko u dënua vetëm me një gjobë prej 12.500 eurosh dhe dënim me kusht. Ai i shpëtoi burgut edhe për blerjen e një veture luksoze “Audi A6” me vlerë 67.000 euro, për të cilën kryetari i ri i komunës, Mendi Qira, paralajmëroi se do ta shesë.

“Lëndët janë në Gjykatën e Apelit në Manastir dhe ende pritet vendimi për ankesat. Nëse vlerësojnë se ka pasur shkelje të procedurës, atëherë lënda do të kthehet për rigjykim. Nëse konsiderojnë se ka diçka lidhur me sanksionin, atëherë supozoj se dënimet do të ndryshohen ose ndoshta edhe do të konfirmohen. Megjithatë, derisa të merret vendimi, kjo mbetet vetëm spekulim”, deklaroi gjyqtari Jordan Jovanov.

Së fundmi, kundër Merkos dhe edhe katër personave të tjerë, policia ka ngritur kallëzim penal për shembjen e shtëpisë-muze të Vlado Maleskit në Strugë. Prokuroria Publike thotë se është hapur një lëndë dhe se janë lëshuar disa urdhra për verifikim, përfshirë edhe ekspertizën përkatëse.(INA)