‘Qyteti i Sigurt’ me shumë mangësi, qytetarët kërkojnë ndryshime

Sistemi “Qytet i Sigurt”, i cili po vendoset gradualisht në Maqedoninë e Veriut, megjithëse vlerësohet si një hap i nevojshëm drejt sigurisë dhe rregullimit të trafikut, qytetarët shprehin shqetësime për mangësitë e sistemit, si dënimet e larta, keqpërdorimi i të dhënave personale dhe dilemat për zbatim selektiv, shkruan Portalb.mk.

Për të parë nga afër se si ky sistem i cili veç më ka filluar të zbatohet në Shkup, përmes një anketimi publik, qytetarët nga mbarë vendi ndanë për Portalb.mk përvojat e tyre. 

Shumica e qytetarëve janë dakord me vendosjen e këtij sistemi dhe besojnë se i njëjti do të rrisë sigurinë në komunikacion. 

Megjithatë, shumica e tyre theksojnë se infrastruktura në vend nuk është e përshtatshme për funksionimin efektiv të sistemit. 

Problem tjetër për shumicën e qytetarëve është edhe shuma e dënimeve, të cilat janë të papërballueshme. 

Megjithatë edhe pse në përgjithësi përshtypjet e qytetarëve janë pozitive, ata kanë një sërë kritikash dhe rekomandime për Ministrinë e Brendshme. 

Problemet kryesore lidhen me mungesën e tolerancës në tejkalimin e shpejtësisë, gabimet në dërgimin e gjobave, çmimet e dënimeve, si dhe mungesën e transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

Ndër të tjera, qytetarët kërkojnë që sistemi të vendoset në të gjithë vendin përpara zbatimit të plotë, pasi në të kundërt e konsiderojnë atë diskriminues ndaj qytetarëve. 

Çfarë na thanë qytetarët? 

“Duhet të rregullohet më mirë, sepse nuk mund të ndëshkohen qytetarët për tejkalim shpejtësie prej 1 km/h deri në 10 km/h; duhet të ketë tolerancë. Gjithashtu, ka shumë gabime, pasi gjobat dërgohen në numra dhe email-e të gabuara, çka duhet të rregullohet urgjentisht. Sistemi duhet të vendoset në të gjitha qytetet, pasi në të kundërt krijohet diskriminim dhe nuk është i barabartë për të gjithë qytetarët”.

“Asnjë ndryshim, është shumë mirë që nuk ka tolerime, pasi shoferi duhet të vozisë me kujdes dhe sipas shpejtësisë së lejuar në komunikacion” . 

“Ky projekt duhet të marrë parasysh shoqërinë, shtetin dhe sistemin për vendosjen e një “sistemi të tillë”, sepse një pagë mesatare prej 300 euro nuk mund të përballojë një dënim prej 299 euro, ashtu siç një infrastrukturë e dobët me rrugë të dëmtuara (si në Bangladesh) nuk përputhet me një sistem amerikan” . 

“Ky projekt është bërë për shterimin e të ardhurave materiale; çdo projekt bëhet për të mbledhur para nga populli, askujt nuk i intereson siguria” . 

“Çmimet e dënimeve të përputhen me të ardhurat minimale në shtet, mbrojtja e identitetit dhe informatave personale (sipas lajmeve të kaluara ka pasur shkelje në këtë aspekt dhe disa persona janë informuar për dënimet që i përkasin individëve të tjerë). Të mos futet në funksion sistemi deri sa të përmirësohen sistemet digjitale. Nuk besoj se sistemi juridik ka kapacitet për procesimin e 50-100 mijë dënimeve në ditë” . 

“Të ulen gjobat dhe sistemi të veprojë në mënyrë të paanshme për secilin prej nesh”.

Kamerat e sistenit "Qyteti i Sigurt". Foto: MPB
Kamerat e sistenit “Qyteti i Sigurt”. Foto: MPB

Miftari: Sistemi i duhur, infrastruktura ka nevojë për përmirësim 

Për të diskutuar të gjithë dilemat dhe problemet që shqetësojnë qytetarët, biseduam me inxhinierin e komunikcionit rrugor, Refik Miftarin.

Refik Miftarin, inxhinier i komunikcionit rrugor. Foto nga arkivi i tij personal.
Refik Miftarin, inxhinier i komunikcionit rrugor. Foto nga arkivi i tij personal.

Sipas tij, ‘Qyteti i Sigurt’ përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të menaxhimit të trafikut dhe rritjes së sigurisë rrugore. 

Ai sqaron se ky sistem adreson në mënyrë relativisht efektive shkeljet që janë të matshme dhe të regjistrueshme automatikisht, si shpejtësia dhe kalimi në dritë të kuqe.

Megjithatë, për shkelje të tjera, veçanërisht parkimet e parregullta dhe sjelljen e rrezikshme në trafik, sipas Miftarit nevojitet kombinim i teknologjisë me kontrollin njerëzor dhe menaxhim më të mirë urban.

“Një element kyç teknik është përcaktimi i tolerancës ndaj shpejtësisë. Praktikat evropiane tregojnë modele të ndryshme: në disa shtete aplikohet tolerancë zero, sidomos brenda vendbanimeve, ndërsa në vende të tjera lejohet tolerancë deri në 10% mbi kufirin e shpejtësisë (p.sh. 50 km/h + 5 km/h). Për Maqedoninë e Veriut, përcaktimi i një tolerance të qartë dhe transparente është thelbësor për funksionimin korrekt të sistemit dhe pranueshmërinë e tij nga qytetarët”, tha Miftari. 

Mes tjerash ai thotë se sfidat kryesore në zbatimin e sistemit “Qytet i Sigurt” lidhen drejtpërdrejt me gjendjen e infrastrukturës dhe planifikimin urban. 

“Në shumë zona mungon sinjalizimi horizontal dhe vertikal, trotuaret janë të pamjaftueshme ose jo funksionale, ndriçimi rrugor është i dobët, ndërsa hapësirat për parkim janë të pakta ose të paorganizuara”, tha Miftari.

Në çfarë faze është sistemi? 

Që nga 1 dhjetori kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në udhëkryqet e Shkupit regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut. 

 Përveç kryeqytetit, sistemi në fazën e parë do të zbatohet edhe në Tetovë dhe Kumanovë. 

Ishte planifikuar që gjobat të fillojnë të zbatohen nga 1 janar 2026, mirëpo kjo është shtyrë për në 1 shkurt 2026. 

Synimi është që deri në vitin 2030 të zvogëlohet dhe të përgjysmohet numri i aksidenteve në trafik.

Kamerat e projektit Safe City. Foto nga Policia e Maqedonisë së Veriut
Kamerat e projektit Safe City. Foto nga Policia e Maqedonisë së Veriut

Kur do të fillojë zbatimi në të gjithë vendin? 

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski së fundmi njoftoi se deri në qershor-korrik të vitit të ardhshëm pritet që ‘Qyteti i Sigurt’ të zbatohet në të gjithë territorin e vendit. 

Qëllimi i parë dhe më i madh, do të thoja qëllimi i fundit i zbatimit të këtij sistemi, është të shpëtojmë të paktën një jetë njerëzore më shumë se më parë. Pra, rezultatet që duhet të ofrojë ‘Qyteti i sigurt’ janë vërtet shumë të shkëlqyera”, theksoi Toshkovski. 

Ankesë për diskriminim 

Një grup qytetarësh paraqitën padi gjithëpërfshirëse në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar vlerësim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së të ashtuquajturit sistem “Qytet i Sigurt” i zbatuar nga Ministria e Brendshme (MPB). Paralelisht me padinë, janë ngritur kallëzime penale në Prokurorinë Themelore Publike dhe në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovski dhe zyrtarëve aktualisht të panjohur. 

Sipas ankuesve, sistemi i ri për sanksionimin e shkeljeve të trafikut, i cili parashikon dërgimin e urdhrave kundërvajtës përmes mesazheve SMS që përmbajnë link për dokument PDF – është i paligjshëm, teknikisht i pasigurt dhe jokushtetues. Ata pretendojnë se modeli prezanton një sërë shkeljesh të rënda të të drejtave themelore të njeriut, privatësisë dhe parimit të barazisë së qytetarëve para ligjit. 

Sistemi "Qyteti i Sigurt". Foto: MPB
Sistemi “Qyteti i Sigurt”. Foto: MPB

Ndryshime ligjore 

Së fundmi, deputetët i votuan ligjet e nevojshme që sistemi “Qytet i Sigurt“ të funksionojë plotësisht: Ligjet për automjetet, për policinë, për ekzekutimin e sanksioneve dhe për sigurinë në komunikacion. Mbetet të miratohen edhe ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, i cili është në lexim të dytë. Krahas kësaj janë propozuar edhe ndryshime në Kodin Penal për harmonizim me paketën e ligjeve lidhur me sistemin “Qytet i Sigurt“. 

Ndryshe, Ministria e Brendshme në Departamentin e Çështjeve Civile në ndërtesën e MPB-së në Shkup ka hapur edhe sportel të posaçëm për këtë sistem, ku qytetarët do mund t’i ndryshojnë të dhënat e tyre për automjetet. Përditësimi i të dhënave është i mundur edhe përmes stacioneve të kontrollit teknik të automjeteve.