Një vit në arrati: MPB ende nuk e di ku është Artan Grubi

Një vit nga arratisja e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, policia nuk e di ku është dhe nuk zbulon deri ku ka arritur procedura për gjetjen e tij. Përveç Grubit, policia ende është në kërkim edhe të ish-drejtorit të “Lotarisë shtetërore”, Përparim Bajrami, ndërsa i pakapshëm për organet e ndjekjes mbetet edhe ish-drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski. Në pyetjen tonë se çfarë po bën policia për t’i gjetur, morëm përgjigje në të cilën MPB kërkoi nga ne, si gazetarë, që nëse i lokalizojmë, menjëherë t’i raportojmë.

“MPB ndërmerr masa të përshtatshme taktike-operative për lokalizimin dhe privimin nga liria të personave për të cilët pyetni. Nëse posedoni informacione për vendndodhjen e tij, ndani me organet e ndjekjes në stacionin policor më të afërt”, thonë nga MPB.

Shumica e udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski në qershor të vitit 2024 mori pushtetin me premtime të mëdha, t’i vihej fund krimit dhe korrupsionit dhe të gjithë ata që kanë gabuar të përgjigjen para ligjit. Por, edhe pse nisën më shumë hetime, dhe disa raste, si për shembull “Aditivët”, përfunduan në gjykatë, megjithatë aktorët kryesorë në rastet më të mëdha të korrupsionit të zbuluara gjatë këtij viti e gjysmë, nuk janë prapa hekurave.

Më 16 dhjetor, pasi Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit hapi hetim kundër ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi për keqpërdorime serioze me tenderë në “Lotarinë shtetërore”, u bë e ditur se Grubi kishte braktisur shtetin. Deri më sot zyrtarisht nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij. Së shpejti u bë e qartë se në vend nuk ishte as Përparim Bajrami, i akuzuar në rastin e njëjtë si Grubi, avokati i të cilit në një deklaratë për mediat tha se Bajrami nuk është në arrati, por thjesht është shpërngulur nga shteti.

Me urdhër-arrest kërkohet edhe Vasko Kovaçevski, ish-drejtori i EMV-së, i dyshuari i parë në rastin “Aditivët”, për keqpërdorime serioze në TEC Manastir dhe një shumë prej rreth 6,5 milionë euro. Në listën e të arratisurve nga drejtësia, prej disa javëve është bashkuar edhe Remzi Miftari, i dënuar me 10 vite burg në rastin “Durmo Turs”, përkatësisht aksidentin fatal në Llaskarcë, ku humbën jetën 16 persona. Gjatë këtij viti e gjysmë të pushtetit të koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe VLEN, nga shteti ka ikur dhe ende me urdhër-arrest kërkohet edhe avokati Aleksandar Risteski, i dyshuar se vitin e kaluar më 25 nëntor qëllimisht ka shkaktuar zjarr në ambientet e Odës së Avokatëve. /Alsat.mk