Toshkovski: MPB do të publikojë të gjitha lokacionet ku janë vendosur kamerat e “Safe City”

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në drejtim të transparencës dhe edukimit më të madh të shoferëve, njoftoi se sistemi “Safe City” nuk do të jetë “kurth” për qytetarët. Ai tha se MPB planifikon të ndajë publikisht të gjitha vendet ku janë instaluar kamerat.

Ai gjithashtu paralajmëroi miratimin e akteve nënligjore që do të përcaktojnë kufirin e lejuar të shpejtësisë.

“Ne udhëhiqemi nga parametrat evropianë që parashikojnë një tolerancë prej tre deri në dhjetë kilometra në orë mbi kufirin e lejuar të shpejtësisë. Qëllimi nuk është të ndëshkohet me çdo kusht, por të ulet shpejtësia dhe të shpëtohen jetë”, theksoi Toshkovski.

Kamerat e “Safe City” të instaluara në rrugët e Shkupit regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Ishte planifikuar që gjobat të fillojnë të zbatohen nga 1 janar 2026, mirëpo kjo është shtyrë pas 1 shkurtit 2026.