Rrugët shndërrohen në ‘lumenj’, hotele luksoze nën ujë/ Shira të rrëmbyeshëm përmbytin Dubain dhe Abu Dhabin

Shira të rrëmbyeshëm goditën Dubain dhe Abu Dhabin në orët e para të së premtes, duke shkaktuar përmbytje të përhapura në të dy qytetet. Rrugët u shndërruan në “lumenj”, ndërsa hotele, qendra tregtare dhe zona të banuara u përfshinë nga uji. Si masë parandaluese, autoritetet urdhëruan punën nga distanca në shumë pjesë të vendit. Kryeqyteti Abu Dhabi u përball me një stuhi të fortë gjatë natës, pas reshjeve intensive që kishin prekur Dubain një ditë më parë. Edhe pse reshjet nuk arritën intensitetin e stuhisë së prillit 2024 që kishte shkaktuar kaos, problemet infrastrukturore dhe vështirësitë në lëvizje u shfaqën menjëherë.

Ministria e Burimeve Njerëzore njoftoi se direktiva për punë nga distanca zbatohet për stafin, rolet e të cilit e lejojnë këtë. Vendimi pasoi një urdhër të autoriteteve të Dubait, sipas të cilit i gjithë stafi qeveritar duhet të punojë nga shtëpia për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Ndërkohë, plazhet publike, parqet dhe atraksione të njohura turistike, përfshirë Global Village në Dubai, u mbyllën përkohësisht.

 

Banorët e Dubait morën paralajmërime zyrtare përmes linjës së emergjencës, ku u këshilluan të kufizojnë lëvizjet “përveç rasteve absolutisht të domosdoshme” deri në mesditën e së premtes. Paralajmërime të ngjashme u lëshuan edhe në Abu Dhabi, me kufizime që zgjatën deri në orën 14:00. Situata e motit të keq u shtri edhe në rajon, me reshje intensive që shkaktuan probleme në Doha. Për shkak të rrufeve pranë stadiumit, u ndërpre edhe ndeshja për vendin e tretë në Kupën e Kombeve Arabe të FIFA-s mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Arabisë Saudite.

 

 

Sipas Qendrës Kombëtare të Meteorologjisë, dita më e vështirë pritet të jetë sot, pasi vendi po përjeton kulmin e kushteve të paqëndrueshme të motit. Këto kushte lidhen me zgjerimin e një minimumi barometrik nga Deti i Kuq, të shoqëruar me erëra juglindore, si dhe me një sistem presioni të ulët në shtresat e sipërme të atmosferës. Autoritetet meteorologjike vlerësojnë se moti do të fillojë të përmirësohet nga e hëna e ardhshme, me qiell të kthjellët deri pjesërisht me vranësira. Erërat pritet të fryjnë nga verilindja dhe juglindja me intensitet mesatar, ndërsa deti do të jetë i qetë si në Gjirin Arabik ashtu edhe në Gjirin e Omanit.

© SYRI.net