Sulmi i përgjakshëm në Bondi, Australia nis program kombëtar për blerjen e armëve

Kryeministri australian Anthony Albanese ka njoftuar nisjen e një programi kombëtar për blerjen dhe asgjësimin e armëve të zjarrit, pas sulmit të përgjakshëm në Bondi Beach të Sidneit, ku u vranë 15 persona gjatë një aktiviteti të komunitetit hebre.

Albanese e cilësoi nismën si programin më të madh të blerjes së armëve që nga viti 1996, kur Australia u përball me masakrën e Port Arthur, sulmin më vdekjeprurës me armë në historinë moderne të vendit. Sipas tij, autoritetet do të blejnë armë të tepërta, të ndaluara rishtazi dhe armë të paligjshme.

Ai theksoi se shtetet dhe territoret do të merren me mbledhjen e armëve dhe pagesat për dorëzimin e tyre, ndërsa policia federale do të përgjigjet për shkatërrimin e tyre. Sipas kryeministrit, pritet që qindra mijëra armë të hiqen nga qarkullimi, transmeton Klankosova.tv.

Sulmi në Bondi Beach ka tronditur opinionin publik australian. Dy autorët e dyshuar, babë e bir, Sajid Akram, 50 vjeç, i cili u vra në vendngjarje, dhe Naveed Akram, 24 vjeç, i akuzuar për terrorizëm dhe vrasje, dyshohet se ishin të frymëzuar nga ideologjia e Shtetit Islamik.

Ngjarja ka nxitur gjithashtu ashpërsimin e ligjeve kundër gjuhës së urrejtjes, në një kohë kur autoritetet raportojnë rritje të ndjeshme të antisemitizmit në Australi. Albanese e cilësoi sulmin si një nga aktet më të rënda të vrasjeve masive në historinë e vendit.

Qeveria australiane ka shpallur gjithashtu një ditë kombëtare reflektimi, ndërsa qytetarë të shumtë janë mbledhur në Bondi Beach për të nderuar viktimat e sulmit.