Pavarësia e Polonisë rrezikohet nëse Ukraina kapitullon, thotë Tusk

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka deklaruar të enjten se pavarësia e shtetit të tij do të rrezikohej, nëse Ukrainë do të detyrohej të kapitullonte.

Ai u ka thënë gazetarëve gjatë një takimi të liderëve të BE-së në Bruksel lidhur me financimin e Ukrainës se udhëheqësit janë të angazhuar “në një proces shumë të vështirë” të përpjekjes për të arritur një marrëveshje, me një grup vendesh më kritike “teorikisht më të rrezikuara nga një lloj veprimi hakmarrës ose financiar nga Rusia”, e që është kryesisht Belgjika.

Ai thotë se ata po kërkojnë mënyra për t’i bërë të gjitha vendet të ndihen rehat me atë që po propozohet.

Por ai ka shtuar se edhe Polonia do të rrezikohej nëse Ukraina do të detyrohej të kapitullonte, si pasojë e mosveprimeve nga Evropa.

“Pavarësia polake do të ishte nën kërcënim nëse rezulton se si pasojë e vendimeve të dobëta ose mungesës së veprimit nga Evropa, Ukraina do të detyrohej të dorëzohet nga lufta”, ka deklaruar ai.

“Dua që kjo të kuptohet më në fund nga të gjithë – jo vetëm nga kolegët tanë këtu në Evropë, por edhe nga të gjithë në Poloni, se kur flasim për domosdoshmërinë e mbështetjes së Ukrainës duke përdorur këto fonde ruse, kjo ndodh sepse e dimë shumë mirë se pavarësia e Ukrainës e largon rrezikun e agresionit ose luftës nga kufijtë polakë. Anasjelltas, rënia e Ukrainës si rezultat i kësaj lufte do të nënkuptonte një kërcënim të drejtpërdrejtë për Poloninë”, ka shtuar ai.