Presidenti rus, Vladimir Putin, ka sulmuar udhëheqësit evropianë duke thënë se ata se i janë bashkuar administratës së ish-presidentit amerikan, Joe Biden, duke shpresuar në përfitime nga kolapsi i Rusisë.
Duke folur në një takim vjetor me ministrinë e Mbrojtjes, Putini i ka quajtur liderët evropianë “derra të vegjël”.
“Derrat e vegjël të Evropës iu bashkuan menjëherë punës së administratës së mëparshme amerikane, duke shpresuar të përfitonin nga kolapsi i vendit tonë”, ka thënë Putini.
Komentet e ashpra të Putinit erdhën teksa zyrtarët amerikanë thonë se bisedimet e mëparshme me Ukrainën në Berlin kanë zgjidhur rreth 90% të çështjeve më të vështira.
Por mbeten dyshime të mëdha nëse udhëheqësi rus është i përgatitur të bëjë kompromis mbi kërkesat e tij gjithëpërfshirëse.
Putini ka këmbëngulur vazhdimisht që Kievi të lëshojë pjesët e mbetura të rajonit lindor të Donbasit që janë ende nën kontrollin e Ukrainës – një kërkesë që Shtëpia e Bardhë herë pas here duket se e mbështet, por që Ukraina e ka refuzuar kategorikisht.
Moska gjithashtu ka kërkuar kufizime të rrepta mbi ushtrinë e Ukrainës, një ndalim për trupat perëndimore në territorin e Ukrainës dhe një fund të mbështetjes ushtarake perëndimore.
Fjalët e ashpra të Putinit për liderët evropianë, vijnë pak ditë pasi ata u kritikuan edhe nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Në një intervistë javën e kaluar për “Politico” Trumpi ka thënë se liderët evropianë vetëm flasin dhe nuk bëjnë asgjë në lidhje me Ukrainën.




