Zhveshtorja e NPK ‘Pisha’ assesi të vishet, punëtorët ankohen për kushtet e këqija dhe premtimet e parealizuara për rritje të rrogave (Video)

Punëtorët e Ndërmarrjes Komunale Publike “Pisha” në Likovë vazhdojnë të punojnë në kushte të këqija. Zhveshrorja ende nuk është përfunduar, dritaret nuk janë vendosur, mungon tualeti, energjia elektrike dhe mjetet elementare të punës. Ata kërkojnë nga institucionet lokale realizimin e këtyre kushteve, si dhe rritjen e pagave, ku sipas tyre kryetari i Komunës së Likovës Erkan Arifi ua ka premtuar para zgjedhjeve. Megjithatë, pavarësisht kërkesave të tyre, autoritetet lokale heshtin për këtë problem, shkruan Portalb.mk. 

Pasi punëtorët e Ndërmarrjes Komunale Publike “Pisha” u ankuan në redaksinë e Portalb.mk për gjendjen e zhveshtores, shpenzimet e rrugës dhe kërkesën për rritjen e pagës prej 2 mijë denarësh, ekipi ynë vizitoi objektin. 

Ata thonë se në disa raste janë të detyruar të udhëtojnë në këmbë, ndërsa shpenzimet për rrugën nuk u kompensohen. Gjithashtu, kërkojnë rritjen e pagës, siç u ka premtuar kryetari i komunës, Erkan Arifi. Ata thonë se me një pagë prej 26 mijë denarë nuk arrijnë të përballojnë nevojat e tyre.

Gazmend Zeqiri punëtor i cili ka mbi 15 vite që punon në këtë ndërmarrje u ankua për mosrealizimin e premtimeve dhe kushtet e vështira të punës. 

“Ne jemi tre punëtorë nga Vaksinca. Udhëtojmë në këmbë, shpenzimet e rrugës nuk na paguhen. Ai që i bën premtimet e veta, nuk i realizon. Kryetari, para zgjedhjeve, na premtoi se do të na i rrisë rrogat, por këtë nuk e ka bërë. I kemi thënë disa herë dhe na është përgjigjur se do ta shikojnë. Tani ku është problemi, nuk e dimë”, tha Zeqiri. 

Zhveshtorja e NKP "Pisha" Likovë. Foto nga Portalb.mk
Zhveshtorja e NKP “Pisha” Likovë. Foto nga Portalb.mk

Ai u ankua edhe për kushtet e këqija dhe zhveshtoren e cila me muaj nuk po përfundohet.

“Kjo që e kanë nisur për zhveshtoren nuk është rregulluar. Nuk ka as rrymë, as dritare, asgjë , as ngrohje dhe as vend ku të qëndrojmë. Nuk e di për çfarë arsye e kanë ndaluar. Para gjashtë muajsh na premtoi se do ta realizojë, siç po shihet edhe këtu. Ne kërkojmë që të na i mbulojnë shpenzimet e rrugës dhe të realizohen premtimet që i ka dhënë para zgjedhjeve: rritjen e pagave nga dy mijë denarë. As këto nuk janë realizuar. Për këtë nuk e di, ndërsa të tjerat ai i di se çfarë ka premtuar. Premtimet i bëri, por askund nuk po shihen…”, tha Zeqiri.

Objekti brenda i zhveshtores të NKP "Pisha" Likovë. Foto nga Portalb.mk
Objekti brenda i zhveshtores të NKP “Pisha” Likovë. Foto nga Portalb.mk

Pyetëm Komunën e Likovës se kur do të realizohen premtimet për rritjen e pagave dhe mbulimin e shpenzimeve të rrugës, si dhe për arsyet pse ende nuk kanë përfunduar punimet në zhveshtoren e punëtorëve të NKP “Pisha”. Por nga aty nuk u përgjigjën.

As Ndërmarrja Komunale Publike “Pisha” nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske. 

Kujtojmë se gjashtë muaj më parë, nga NKP “Pisha” më 26 qershor theksuan se dhoma e punëtorëve është drejtë përfundimit, por kjo nuk ka përfunduar ende.

 

Ndryshe, me 10 janar 2025 Inspektorati Shtetëror i Punës, pas një parashtrese të dorëzuar nga ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, anuloi shpalljen për punësim në Ndërmarrjen Komunale “Pisha” të Likovës. Punëdhënësi u njoftua se duhet të eliminojë parregullsitë e evidentuara.