Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se propozimet e negociuara me zyrtarët amerikanë për një marrëveshjeje paqeje për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare të vendit të tij me Rusinë mund të finalizohen brenda ditësh, pas së cilës të dërguarit amerikanë do t’ia paraqesin ato Kremlinit përpara takimeve të mëtejshme të mundshme në Shtetet e Bashkuara fundjavën e ardhshme.
Zelensky u tha gazetarëve të hënën vonë se një draft-plani paqeje i diskutuar me SHBA-në gjatë bisedimeve në Berlin më herët gjatë ditës është “shumë i realizueshëm”. Ai paralajmëroi megjithatë, se disa çështje kyç, veçanërisht ajo që ndodh me territorin ukrainas të pushtuar nga forcat pushtuese ruse, mbetën të pazgjidhura.
Përpjekjet për paqe të udhëhequra nga SHBA-ja duket se po fitojnë vrull. Por, presidenti rus, Vladimir Putin, mund të hezitojë ndaj disa prej propozimeve të paraqitura nga zyrtarë të Washingtonit, Kievit dhe Evropës Perëndimore, duke përfshirë garancitë e sigurisë pas luftës për Ukrainën.
Zyrtarët amerikanë të hënën thanë se ka konsensus nga Ukraina dhe Evropa për rreth 90% të planit të paqes të hartuar nga SHBA-ja. Presidenti Donald Trump tha: “Mendoj se jemi më afër se kurrë” për një zgjidhjeje paqeje.
Zelensky përsëriti se Kievi përjashton njohjen e kontrollit të Moskës mbi çdo pjesë të Donbasit, një rajon ekonomikisht i rëndësishëm në Ukrainën lindore të përbërë nga Luhansku dhe Dontesku. Ushtria ruse nuk e kontrollon plotësisht asnjërën prej tyre.
“Amerikanët po përpiqen të gjejnë një kompromis”, tha Zelensky, përpara se të vizitonte Holandën të martën. “Ata po propozojnë një ‘zonë të lirë ekonomike’. Dhe dua ta theksoj edhe një herë: një ‘zonë e lirë ekonomike’ nuk do të thotë nën kontrollin e Federatës Ruse”.
Çështja e tokës mbetet një nga pengesat më të vështira për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Putini dëshiron që të gjitha zonat në katër rajone kyç që forcat e tij kanë pushtuar, si dhe Gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014, të njohën si territor rus.
Zelensky paralajmëroi se nëse Putini refuzon përpjekjet diplomatike, Ukraina pret rritje të presionit perëndimor mbi Moskën, duke përfshirë sanksione më të ashpra dhe mbështetje ushtarake shtesë për mbrojtje. Kievi do të kërkonte sisteme të përforcuara të mbrojtjes ajrore dhe armë me rreze të gjatë veprimi nëse diplomacia dështon, tha ai.
Ukraina dhe SHBA-ja po përgatisin deri në pesë dokumente që lidhen me kuadrin e paqes, disa
Ukraina dhe SHBA-të po përgatisin deri në pesë dokumente që lidhen me kuadrin e paqes, disa prej të cilave përqendrohen në siguri, tha Zelensky.
Ai ishte optimist për progresin në bisedimet e Berlinit.
“Në përgjithësi, pati një demonstrim uniteti”, tha Zelensky. “Ishte vërtet pozitive në kuptimin që pasqyronte unitetin e SHBA-së, Evropës dhe Ukrainës”.




