Avokati Shehtanski hap dilemë: Koçani, ishte tentim për akt terrorist?

Screenshot

Në seancën e sotme për tragjedinë në “Puls”, një pjesë e avokatëve kritikuan ashpër Prokurorinë, duke theksuar se nëse kërkohet lidhje shkak–pasojë te sistemi dhe institucionet, atëherë përgjegjësia duhet të kërkohet edhe nga vetë Prokuroria Publike, e cila duhej të reagonte menjëherë pas sinjaleve të para nëse kishte indicie për parregullsi në diskotekën “Puls”.

Në fjalën hyrëse, avokati Vanço Shehtanski, mbrojtës i ish-inspektorit të tregut Mile Ampov, shprehu dyshime se zjarri mund të ketë qenë akt terrorist dhe pyeti pse një tezë e tillë ishte hedhur poshtë që në fillim, pavarësisht, siç tha ai, “rrjedhës së çuditshme të ngjarjeve” në ditën kritike.

“Kërkohen dokumente nga vitet 2012 dhe 2013, po zhvendoset vëmendja, por ne do ta kthejmë aty ku duhet. Nga 35 të akuzuar, 30 nuk kanë qenë as të pranishëm në vendin e zjarrit. Kush e dogji objektin? Pse u dogj? Pse nuk ka ekspertizë për shkrepëset piroteknike – kush i bleu, kush i futi? Kush i mbylli dyert? Pse ishte i bllokuar dalja? Ne nuk do të merremi me dokumente të parëndësishme të vitit 2012. E vërteta duhet të thuhet”, tha Shehtanski, duke shtuar se aktakuza është “litar mëndafshi për shtetin”.

Ai theksoi se është krijuar opinion publik për fajtorët, “ndërsa asnjëri nga fajtorët e vërtetë nuk është këtu”. Sipas tij, drejtësia ka “vetëm dy për qind besueshmëri, dhe me arsye”. Shehtanski vuri në dukje se në aktakuzë mungojnë të dhënat nga shërbimet e sigurisë dhe çdo informacion për kërcënime apo veprime të mundshme ditën e zjarrit.

Avokati u ndal edhe te çështja e shkrepëseve piroteknike, duke theksuar se ekzistojnë lloje rezistente ndaj zjarrit dhe lloje të djegshme, ndërsa aktakuza nuk përmban fare ekspertizë për to. Sipas tij, këto mangësi lënë hapësirë për dyshime dhe pyetje.

Shehtanski kritikoi gjithashtu se Prokuroria, në vend që të përcaktojë faktet, po e zhvendos vëmendjen e publikut “tek gjëra të panevojshme”, gjë që mund të jetë e rrezikshme.

“Nëse vërtet nga shkrepëset piroteknike ka nisur zjarri që çoi në tragjedi, është e pamundur që në aktakuzë të mos ketë asnjë fjalë për këtë. Po ashtu, është e pamundur që të mos ketë asnjë shënim nëse është hetuar ndoshta edhe për motiv terrorist, duke pasur parasysh rrjedhën e çuditshme të ngjarjeve”, tha ai.

Shehtanski përsëriti se pikërisht Prokuroria duhej të reagonte e para nëse kishte parregullsi:

“Të pyes drejtpërdrejt – a fle prokurori i qetë? Në vend që të kërkoni lidhje shkak–pasojë tek institucionet e tjera, pse nuk reaguat vetë pas sinjaleve të para? Ndoshta tragjedia nuk do të kishte ndodhur fare. Si ndihen familjet e të akuzuarve që shihen si vrasës? E vërteta nuk duhet të fshehet”, shtoi ai.

Avokati theksoi se publiku as e ka parë dhe as ka qasje në aktakuzë. Si shembull, ai përmendi një paraqitje televizive ku ishte përmendur teza për akt terrorist, ndërsa emisioni më vonë ishte fshirë, gjë që ngjall dyshime shtesë.

Mbrojtja gjithashtu theksoi paraqitjen e pasaktë të statusit juridik të subjekteve të lidhura me objektin. Sipas Shehtanskit, klienti i tij si inspektor deri në vitin 2022 kishte konstatuar se “Klasik” dhe dega e saj “Kabaré Puls” nuk i përmbushnin kushtet për funksionim, por objekti ku shpërtheu zjarri nuk ishte i njëjti subjekt juridik.

Ai kujtoi se Ampov në vitin 2024 ishte tashmë në pension dhe nuk mund të kryente mbikëqyrje. Për më tepër, objekti ku ndodhi tragjedia kishte një emër tjetër:

“Diskoteka Puls nuk ekziston në Regjistrin Qendror. Mos manipuloni. Personi juridik DPTU Klasik është regjistruar në vitin 2009 dhe kishte degën Kabaré Puls. Por ‘Klasik’ nuk është ndër subjektet juridike të akuzuara. Klasik ka pushuar së ekzistuari që nga shkurti i vitit 2024. Objekti ku ndodhi tragjedia quhet ‘Klub Puls’ – as kabaré, as disko. Aty qëndron problemi – nuk ka licencë. E klienti im nuk mund të kryente mbikëqyrje në vitin 2024 kur ishte në pension”, përfundoi Shehtanski./TV21