Vetëm një ditë pasi Albin Kurti deklaroi se “abuzuesit” e pasurisë publike nuk do të tolerohen, pikërisht ministrja e tij e akuzuar për dallavere me rezervat shtetërore, Rozeta Hajdari, zgjodhi të mos paraqitet në Gjykatë për nisjen e gjyqit për skandalin e madh.
Gjykatësi konfirmoi se ftesa i ishte dërguar, por nga Hajdari veproi si shefi i vet, nuk iu përgjigj institucioneve, veprim ky që bie ndesh me retorikën e fortë të kryeministrit për llogaridhënie dhe shtet të së drejtës.
Kryeministri që po kujdestaron, nga objekti i Qeverisë dje deklaroi se ligji duhet të jetë më i fortë se interesi dhe e vërteta më e rëndësishme se privilegji, ndërsa akuzat ndaj vartësve të tij i minimizoi si “zhurmë”.
Pikërisht, pa zhurmë, as Hajdari nuk shkoi sot në Gjykatë.
Pas përfundimit të seancës, e cila u shty për në janar, ministrja në detyrë, doli me një postim, ku pretendoi se nuk ka marrë ftesë për seancën e sotme.
Ndryshe, para tri javësh, kur gazetarët i kërkuan sqarime për të njëjtat akuza, ajo i shmangu pyetjet duke insistuar se të gjitha do t’i dëshmonte në gjykatë, me argumente e me prova.
“Nuk lëshohem në pretendime të Prokurorisë” – kishte deklaruar Hajdari.
Klankosova.tv do të kërkojë përgjigje nga gjykata, lidhur me ftesën e dërguar.




