Lajme Dhoma e Veterinerëve: Në RMV kemi tre fakultete të veterinarisë, por interesimi...

Dhoma e Veterinerëve: Në RMV kemi tre fakultete të veterinarisë, por interesimi i studentëve është shumë i dobët

Sfidat e veterinerëve në Maqedoni dhe rajon janë pothuajse të njëjta: ata duhet të kryejnë një shkollim adekuat dhe, gjatë gjithë jetës profesionale, shpesh të lëvizin në ferma dhe bjeshkë për të ushtruar profesionin e tyre. Pagesa e ulët është një tjetër sfidë, dhe këto janë disa nga arsyet pse numri i veterinerëve vazhdon të ulet.

Interesimi për studime në mjekësinë e veterinarisë ka rënë shumë, sidomos në krizë është dhënia e shërbimeve nëpër ferma të fshatrave, dhe interesimi rritet në kafshët që ruhen në shtëpi. Kështu do të bëhet një sfidë e madhe për dhënien e shërbimeve për kafshët në ferma në shtetin tonë”, tha Zharko Mihajllovski”

Situata e njëjtë është edhe në Shqipëri, thotë kryetari i Dhomës së Veterinerëve të Shqipërisë, Ervin Resuli.

“Në të gjithë Evropën ka një mungesë të theksuar të veterinerëve për të vetmen arsye se flasim për një profesion që kërkon një kohë të gjatë të studimit dhe pasi ke përfunduar përsëri duhet të jesh në kohë me më të rejat e fundit të shkencës. Është një profesion që, për hir të vërtetës, kërkon punë në terren, nuk është një profesion zyre apo klinike, por është një profesion që kërkon fermë 24 orë në shërbim, që bart sfidat me sëmundjet, dhe veterinerët jo në pak raste janë kontaminuar me këto sëmundje dhe kanë pasur probleme shëndetësore”, deklaroi Ervin Resuli

Por veterineri Rami Selmani thotë se veterinerët ruajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, pasi që ata mbrojnë shëndetin e qytetarëve nga sëmundjet që transmetohen nga kafshët, dhe në vendin tonë si sëmundje më të përhapura janë brucelloza dhe tuberkuloza.

“Veterinerët mbrojnë jetën e njerëzve nga kafshët, veterineri mbron që sëmundjet e kafshëve mos përhapen te njerëzit, kemi rastin e brucellozës, tuberkulozës që i kemi në Maqedoni dhe ne jemi pika e parë që sëmundjet infektive mos barten te njerëzit”, tha Rami Selmani.

Në Maqedoni kemi tre fakultete të veterinarisë, por interesimi i studentëve është shumë i dobët. Nga Dhoma e Veterinerëve apelojnë që shteti të ndajë bursa për studimin e këtij profesioni, i cili është shumë i rëndësishëm për shëndetin e qytetarëve./tv21