Pozita e diskrimnuar e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Shkruan: Nehat Hyseni

Polemika reth çështjes së pozitës së shqiptarëve në Serbi, si dhe e qëndrimit të pushtetit serb ndaj tyre në Luginën e Preshevës, nuk është vetëm përballje e qëndrimeve të kundërta, por paraqet edhe pasqyrim të një procesi të gjatë historik, të mbushur me padrejtësi, tensione dhe përpjekje të pandërprera të shqiptarëve për të ruajtur identitetin dhe ekzistencën e tyre në këtë hapësirë.

Në thelb, debati nuk kufizohet vetëm në interpretimet e ngushta historiografike apo në qasjet ideologjike të palëve (shqiptarve dhe serbëve), por përfshin një betejë të gjerë për të vërtetën historike dhe për të drejtën themelore të shqiptarëve për barazi, mirëqenie dhe respektim të identitet të tyre kombëtar e njerëzor.

Çështja e Luginës së Preshevës, si pjesë e pandarë e hapësirës shqiptare në Ballkan, ka qenë dhe mbetet një nyje e vështirë e marrëdhënieve shqiptaro–serbe. Historia e saj është e mbushur me padrejtësi, kolonizime, shpërngulje të dhunëshme dhe politika të vazhdueshme shtetërore për asimilim, mohimin e identitetit dhe të drejtave elementare të shqiptarëve autoktonë. Këto politika, të trashëguara nga periudha osmane, mbretërore dhe komuniste e deri te shteti serb i sotëm, tregojnë një vazhdimësi të qëllimshme dhe të mirëorganizuar të diskriminimit sistematik të shqiptarve në përgjithësi, veçanërisht në Luginën e Preshevës.

Polemika e hapur me interpretimet e shtrembëruara serbe është, në të vërtetë, një luftë për dinjitet dhe thirrje për ta ngritur zërin kundër falsifikimeve dhe për ta vendosur Preshevën aty ku i takon – në mozaikun e pandashëm të trungut shqiptar.

Prandaj, ky nuk është vetëm një debat për të kaluarën, por është një betejë për të tashmen dhe për të ardhmen, që kërkon barazi të vërtetë, drejtësi dhe respekt të ndërsjellë.

Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në rajon, nëse shqiptarët e Preshevës vazhdojnë të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Nuk mund të ketë demokraci të vërtetë në Serbi, nëse e vërteta e historisë vazhdon të fshihet nën petkun e miteve nacionaliste. Dhe nuk mund të ketë bashkëjetesë të sinqertë, pa njohjen e së drejtës legjitime të shqiptarëve për të qenë të barabartë dhe zot në trojet e tyre.

Ky libër nuk është fund i një polemike, por realisht pretendon të jet një fillim i një dialogu të mirëfilltë, më të ndershëm dhe më të guximshëm. Është një ftesë për të mos heshtur më, për të mos u pajtuar me padrejtësitë dhe për të mos pranuar “harresën historike”. Sepse Lugina e Preshevës nuk është vetëm një territor i caktuar, por është simbol i qëndresës dhe i aspiratës për liri, barazi dhe dinjitet.

Argumentet e sjella tregojnë qartë se shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë qenë dhe mbeten një pjesë organike e trungut kombëtar shqiptar dhe se përpjekjet për t’i paraqitur ata si element i huaj apo si pakicë e ardhur, janë pjesë e një diskursi të fabrikuar dhe të ndërtuar mbi shtrembërime historike dhe synime politike asimiluese. Përkundrazi, burimet historike, dokumentet arkivore dhe dëshmitë gojore e kulturore e vërtetojnë se shqiptarët e këtij rajoni janë autoktonë, me një vazhdimësi të pandërprerë, që nga lashtësia ilire e deri më sot.

Strategjitë shtetërore serbe – që nga projektet nacionaliste të shekullit XIX, shpërnguljet e detyruara të shqiptarëve myslimanë, kolonizimi sistematik me elementë sllavë, represioni i pas 1912-s, represionet e pas 1945-s e deri te politikat diskriminuese bashkëkohore – dëshmojnë për një vijimësi të qartë të një politike shtetërore të orientuar drejt ndryshimit të strukturës etnike në dëm të shqiptarëve. Ky proces, i dokumentuar në literaturën shkencore vendore dhe ndërkombëtare, paraqet një nga shembujt më të qartë të inxhinierisë demografike asimiluese të Serbisë në Ballkan.

“Bota serbe” është një koncept politik dhe ideologjik që ka marrë hov sidomos në dekadën e fundit në Serbi. Ai përdoret nga qarqe nacionaliste serbe dhe nga disa politikanë të lartë të Beogradit, shpesh lidhur me partinë në pushtet (SNS – Srpska Napredna Stranka) dhe strukturat e sigurisë. “Bota serbe” nënkupton një hapësirë të përbashkët politike, kulturore, shpirtërore dhe kombëtare për të gjithë serbët, pavarësisht se ku jetojnë. Shpesh ky term paraqitet si analogji me konceptin rus të “Russkiy mir” (Bota ruse), që justifikon ndikimin e Rusisë në ish-hapësirën sovjetike të BRSS-së. Në këtë kuptim, Beogradi synon të paraqitet si qendra shpirtërore, kulturore dhe politike e të gjithë serbëve në rajon: në Bosnjë e Hercegovinë (Republika Srpska), në Mal të Zi, në Kroaci dhe sidomos në Kosovë.

Përdorimi politik i këtij termi u bë i famshëm pasi ministri serb i brendshëm Aleksandar Vulin e përdori hapur në disa raste (2020–2021), duke thënë se: “detyrë e brezit tonë është krijimi i Botës serbe”. Presidenti Aleksandar Vuçiq është përpjekur publikisht ta shmangë këtë term, por shumë analistë mendojnë se ai e përdor në mënyrë pragmatike, si instrument presioni dhe mobilizimi nacionalist.

“Bota serbe” shpesh lidhet me idenë e “Serbisë së Madhe” ose rikthimit të hegjemonisë serbe në Ballkan. Prandaj, për shaiptarët dhe fqinjët e Serbisë në Ballkan, “Bota serbe” shihet si projekt destabilizues dhe kërcënues, që ringjall idetë shoviniste të regjimit të Sllobodan Millosheviqit të viteve ’90-të të shekullit të kaluar. Në Bosnjë, lidhet me përpjekjet e Milorad Dodikut për shkëputjen e Republikës Srpska; në Mal të Zi, manifestohet përmes ndikimit të Kishës Ortodokse Serbe dhe krizave politike dhe në Kosovë përdoret për të forcuar lidhjet politike, financiare dhe kishtare të Beogradit me serbët lokalë. Për bashkësinë ndërkombëtare, “Bota serbe” ngjan me një formë të re të ekspansionizmit nacionalist të Serbisë, që rrezikon paqen dhe stabilitetin rajonal.

Në këtë kontekst, kjo polemikë nuk ka vetëm karakter akademik, por është edhe një thirrje morale dhe politike dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk mund të mbeten peng i interpretimeve të falsifikuara dhe i statusit të pabarabartë. Zgjidhja e drejtë dhe e qëndrueshme e çështjes së tyre kërkon pranimin e së vërtetës historike, garantimin e të drejtave individuale e kolektive dhe respektimin e standardeve evropiane të barazisë dhe të vetëvendosjes së popujve.

Historia e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është histori e qëndresës. Ajo dëshmon se pavarësisht shpërnguljeve të dhunëshme, kolonizimeve të qëllimshme dhe shtypjeve të vazhdueshme, ky popull nuk është shuar dhe nuk është përkulur. Përkundrazi, ka mbijetuar dhe ka mbajtur gjallë gjuhën, kulturën dhe identitetin e vet, duke dëshmuar se e vërteta historike nuk shuhet me dhunë dhe as nuk ndryshohet me propagandë.

Megjithatë, shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë hequr dorë kurrë nga e drejta e tyre për të jetuar të lirë dhe të barabartë në trojet e veta. Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992, si dhe të gjitha lëvizjet politike e qytetare të tri dekadave të fundit, e dëshmojnë qartë aspiratën e tyre legjitime për vetëvendosje dhe lidhje të natyrshme me Kosovën. Ky vullnet politik, i shprehur qartë dhe i dokumentuar ndërkombëtarisht, mbetet sot gurthemeli i të gjitha kërkesave për barazi dhe drejtësi.

Dialogu shqiptaro–serb, nëse synon të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon, nuk duhet të anashkalojë Luginën e Preshevës dhe të drejtat e shqiptarëve atje.

Çdo përpjekje për paqe të qëndrueshme, pa respektimin e reciprocitetit të të drejtave ndërmjet serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi, do të mbetet e cunguar, e pasinqertë dhe e parealizueshme. Vetëm barazia reale, njohja e të drejtave individuale dhe kolektive dhe respektimi i identitetit kombëtar mund të jenë garanci e bashkëjetesës së shëndoshë.

Prandaj, për shqiptarët e Luginës së Preshevës, lufta për të drejta njerëzore e kombëtare nuk është çështje taktike apo e përkohëshme, por realisht është një mision historik për mbijetesët. Ky libër synon të jetë një dëshmi e gjallë e kësaj kauze, një thirrje për drejtësi dhe një apel për të mos lejuar që Lugina e Preshevës të mbetet “zonë gri” e padrejtësive historike. Vetëm përmes së vërtetës dhe të drejtave të barabarta për të gjithë mund të ndërtohet e ardhmja e përbashkët e popujve në këtë hapësirë të trazuar ballkanike.

Kjo polemikë nuk mbyllet me një fjalë të fundit, por mbetet një proces i hapur i kërkimit të së vërtetës, i përballjes së argumentave dhe i afirmimit të të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Ajo është një gur themeli për ndërtimin e një narrative autentike shqiptare, e cila sfidon narrativat hegjemone dhe shtron bazat për një të ardhme më të mirë ku dialogu i barabartë, drejtësia historike dhe mirëqenia ekonomike, shoqërore, kulturore e politike për të gjithë në këtë nënqiell, do të jenë kushte të domosdoshme për paqe, mirëqenie dhe bashkëjetesë në harmoni e prosperitet.