Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është nominuar të premten nga Këshilli i Përgjithshëm i partisë kandidat për kryeministër dhe bartës i listës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Në të njëjtën mbledhje, Këshilli ka miratuar edhe listën me 110 kandidatë për deputetë.
AAK-ja ka bërë publik edhe sloganin e fushatës për këto zgjedhje, “Krah Teje”, si dhe “ka miratuar programin zgjedhor të ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: qëndrueshmëria dhe trashëgimia, mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik, dhe siguria dhe integrimi euro-atlantik”.
Haradinaj ka deklaruar se kombinimi i lidershipit të guximshëm e vizionar të Aleancës, lista e gjerë përfaqësuese dhe programi i qartë i zhvillimit ekonomik, përbëjnë themelet e ofertës që AAK-ja i paraqet qytetarëve në zgjedhjet parlamentare.
Në programin ekonomik, Aleanca parasheh rritje ekonomike vjetore prej 7%, si dhe rritje të GDP-së nga 12 në 14 miliardë euro brenda mandatit katërvjeçar. Po ashtu, buxheti i shtetit synohet të rritet nga 3.3 miliardë euro në vitin 2025, në 4 miliardë euro në vitin 2026, për të arritur në 6.1 miliardë euro në fund të mandatit.
Sipas Haradinajt, kjo politikë buxhetore garanton stabilitet financiar dhe krijon hapësirë që pagat dhe pensionet të rriten që në vitin 2026 me 31%, duke arritur një pagë mesatare prej 1,100 eurosh dhe pension prej 500 eurosh, varësisht nga kategoritë. Ai ka bërë të ditur se pagat dhe pensionet do të harmonizohen çdo vit me zhvillimin ekonomik dhe inflacionin.
Një rritje të theksuar e parashikon edhe në kategorinë e investimeve kapitale, “e cila do të shënojë rritje prej 61% në vitin e parë të mandatit dhe do të arrijë në 240% deri në vitin 2029”.
Haradinaj ka theksuar se AAK-ja hyn në zgjedhje me qëllimin e rikthimit të normalitetit në vend, forcimit të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies, avancimit drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, si dhe rikthimit të partneritetit strategjik me aleatët perëndimorë, të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Krah Teje për Kosovën tonë të përbashkët. Na priftë e mbara!”, ka përmbyllur Haradinaj.




