Gruaja e artistit të ndjerë Shpat Kasapi, Selvije Kasapi, ka ndarë një mesazh të ndjerë pak ditë pas vdekjes së tij nga një sulm kardiak, duke prekur publikun me fjalët e saj plot dhimbje e respekt për kujtimin e bashkëshortit.
Në një deklaratë ajo ka dhënë leje që të transmetohen të gjitha këngët dhe videot që Shpati kishte realizuar për festat e fundvitit në RTV Dukagjini.
“Unë, Selvije Kasapi, në nder dhe kujtim të përjetshëm për bashkëshortin tim të dashur, Shpat Kasapi, jap lejen që të publikohen dhe të shfaqen të gjitha këngët dhe videot që ai realizoi në xhirimet për festat e fundvitit në RTV Dukagjini Kosovë,” ka shkruar ajo.
Më tej, Selvija ka theksuar se këto pamje përfaqësojnë frymën e fundit artistike të Shpatit dhe dritën e talentit të tij, të cilën ajo dëshiron ta mbajë të gjallë, pavarësisht mungesës së tij fizike.
“Këto pamje janë fryma e tij e fundit artistike, drita e talentit të tij që dua të vazhdojë të jetojë edhe pse ai nuk është më fizikisht mes nesh. Qofshin këto këngë dhe momente një kujtim i gjallë i shpirtit të tij të mirë dhe i dashurisë që ai la pas,” ka përfunduar ajo.




