Parku memorial për 14 viktimat e zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës vazhdon të mbetet vetëm një tabelë informuese. Pavarësisht se para katër muajve, pak para zgjedhjeve lokale, funksionarët qeveritarë dhe deputetët e zonës gjashtë me shumë pompozitet u mblodhën në Tetovë për të shënuar fillimin e këtyre aktiviteteve, punimet në terren nuk kanë filluar ende, shkruan Portalb.mk.
Hapsira ku duhet të ndërtohet ky park, mbetet e pandryshuar, me muaj aty nuk ka pasur asnjë punim në drejtim të krijimit të parkut.
Nga Nisma Zero, të cilët fillimisht e propozuan krijimin e këtij parku, për Portalb.mk thonë se ajo që u promovua katër muaj më parë me zhurmë mediatike, kamera dhe premtime, sot mbetet një hapësirë e harruar, e pandryshuar.
“Neglizhenca institucionale që ka qenë prezente që nga dita e tragjedisë, vazhdon të manifestohet edhe sot. Institucionet përgjegjëse vazhdojnë të flasin pa vepruar, të premtojnë pa realizuar. Ndërkohë, familjarët e 14 viktimave vazhdojnë të presin drejtësi, dhe tashmë po detyrohen të presin edhe për një shenjë simbolike përkujtimi që ishte premtuar si më e pakta që mund të bëhet. Si Iniciativë ZERO!, do të vazhdojmë të kërkojmë llogaridhënie publike dhe t’i mbajmë institucionet përgjegjëse për çdo vonesë, heshtje apo përpjekje për të harruar një tragjedi që ende kërkon drejtësi dhe kujtesë”, tha Blendi Hodai nga Nisma Zero.
I pyetur se pse ende nuk kanë filluar aktivitetet në terren, ministri i Shëndetësisë Azir Aliu vonesat i arsyetoi për shkak të zgjedhjeve lokale. Por nuk përmendi afat kohor se kur do të përfundojë ky park.
“Procedurat ngecën për shkak të zgjedhjeve lokale, sot nuk kam ndonjë informatë deri ku arritur aspekti administrativ a është nënshkruar kontrata me kompaninë e cila do duhet ta realizojë, gjithsesi projekti është gati, çdo send që është premtuar do realizohet, për këtë pjesë kemi paraparë edhe buxhetin, s’ka asnjë ngecje përveç procedurave që lidheshin me zgjedhjet lokale”, tha Aliu.
Parku memorial nuk do të ndërtohet në vendin ku ishte objekti i spitalit modular, por pak më poshtë.

Kujtojmë që në qershor Nisma Zero së bashku me familjarët e viktimave të tragjedisë në spitalin modular dorëzuan në Komunën e Tetovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë kërkesë ku propozuan që hapsira ku ndodhej objekti i spitalit modular të shndërrohet në park memorial publik.
Hapsira ku ishte spitali modular u shndërrua në parking, ku pati edhe disa vetura të vjetra.
Kujtojmë që në nëntor të vitit 2022 drejtori i atëhershëm i Spitalit të Tetovës Amir Elezi paralajmëroi se në këtë në vendin ku ndodhej objekti i spitalit modular, parashihej të vendosej pllakatë përkujtimore për viktimat e tragjedisë. Mirëpo kjo pllakatë nuk u vendos asnjëherë.
Me 8 shtator 2021 në Spitalin Modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarr i tmerrshëm i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.
Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.
Deri tani ka pasur dy procese gjyqësore për këtë rast, por të akuzuarit nuk u thirrën në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra tjera penale, për mos vendosje të aparateve kundër zjarrit.
Në ndërkohë, pavarësisht se kanë kaluar gati dy vjet që kur Prokuroria Publike e RMV-së njoftoi se po zhvillohet një hetim i dytë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për zjarrin në spitalin modular, ende nuk ka vendim.
Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta ku është kërkuar të hapet proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit.
Pasi fajtorët e zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës nuk u sollën para drejtësisë dhe nuk pati proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit, Ibin Emshi i cili humbi babain dhe vëllaun e tij, ka bërë denoncim për vrasje në Itali kundër RMV-së dhe pret që rasti të hetohet ndërkombtarisht dhe të arrijë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.




