Lajme Maqedonia në OKB votoi “pro” kthimit të fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga...

Maqedonia në OKB votoi “pro” kthimit të fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së bëri thirrje të martën për kthimin e menjëhershëm dhe pa kushte të fëmijëve ukrainas “të transferuar me forcë” në Rusi, një çështje e ndjeshme në negociatat për një traktat të mundshëm paqeje midis Kievit dhe Moskës, raportuan “AFP” dhe “Reuters”.

Rezoluta jo-detyruese, e miratuar me 91 vota pro (përfshirë Maqedoninë e Veriut), 12 kundër (përfshirë Rusinë) dhe 57 abstenime, i bën thirrje Moskës të “sigurojë kthimin e menjëhershëm, të sigurt dhe pa kushte të të gjithë fëmijëve ukrainas që janë rrëmbyer”.

Përveç Maqedonisë, pothuajse të gjitha vendet evropiane votuan pro, si dhe Shtetet e Bashkuara. Ndër vendet që ishin kundër, përveç Rusisë, ishin Bjellorusia, Kina dhe kryesisht vende nga kontinenti Afrikan.

Dokumenti gjithashtu i bën thirrje Moskës që “të ndërpresë menjëherë të gjitha praktikat e transferimit me forcë, deportimit, ndarjes së familjes dhe ndarjes së fëmijëve nga kujdestarët e tyre ligjorë, ndryshimit të statusit personal, duke përfshirë shtetësinë, birësimin ose vendosjen në familje kujdestare, si dhe indoktrinimin e fëmijëve ukrainas”./Telegrafi/