Rubio uron Shqipërinë: Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të ndërsjellë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përcjellë një mesazh urimi për qytetarët shqiptarë me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke vlerësuar partneritetin e fortë mes Tiranës dhe Uashingtonit.
Rubio shkruan se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi një angazhim të përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë.
“Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të ndërsjellë dhe ne mirëpresim investimet në rritje të Shqipërisë në sigurinë tonë kolektive. Përveç kësaj, partneriteti ynë me zbatimin e ligjit në Shqipëri i bën qytetarët tanë më të sigurt ndërsa përballemi me kërcënimet e paraqitura nga grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to”, ka deklaruar ai.Tutje, ai ka deklaruar se po ashtu vlerësojnë bashkëpunimin e ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike dhe e përgëzojmë Shqipërinë për hapat e saj të rëndësishëm në sigurinë kibernetike.

“Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë”, shkruan Rubio.