Si po e bllokon Rusia pranimin e Malit të Zi në marrëveshjen ndërkombëtare për kontrollin e eksportit të armëve

Autoritetet ruse po e pengojnë anëtarësimin e Malit të Zi në marrëveshjen ndërkombëtare për kontrollin e eksportit të armëve dhe mallrave me përdorim të dyfishtë – e njohur si Marrëveshja e Vasenarit.

“Rusia prej disa kohësh po e saboton procesin e pranimit të anëtarëve të rinj”, edhe pse të gjitha kushtet për anëtarësim janë përmbushur, thuhet në dokumentin e Qeverisë së Malit të Zi për zbatimin e rekomandimeve nga raporti i Komisionit Evropian.

Marrëveshja e Vasenarit ka 42 vende anëtare, mes tyre edhe Rusia, dhe të gjitha vendimet merren me konsensus.

Anëtarët, ndër të tjera, shkëmbejnë të dhëna për armatimin konvencional dhe teknologjitë e ndjeshme me qëllim forcimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Ambasada e Rusisë nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë (REL) nëse Moska po e pengon pranimin e Malit të Zi dhe pse.

Ambasada e Rusisë në Podgoricë.
Ambasada e Rusisë në Podgoricë.

Marrëdhëniet midis Podgoricës dhe Moskës janë të dëmtuara prej më shumë se një dekade, kryesisht për shkak të hyrjes së Malit të Zi në NATO dhe pushtimit rus të Ukrainës.

Çfarë është Marrëveshja e Vasenarit?

Marrëveshja e Vasenarit u krijua pas Luftës së Ftohtë, për shkak të nevojës së vendeve për bashkëpunim në uljen e rrezikut nga përhapja e armatimit konvencional dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë.

Marrëveshja përgatit dy lista kontrolli mbi të cilat mbështeten si Bashkimi Evropian ashtu edhe Mali i Zi në legjislacionin e tyre – njëra që ka të bëjë me eksportet e armëve dhe tjetra me mallra dhe teknologji me përdorim të dyfishtë.

Në të parën përfshihen, për shembull, tanke, avionë luftarakë, helikopterë etj.

Në të dytën hyjnë kompjuterë, telekomunikimi, sensorë, laserë, sisteme shtytëse… pra mallra dhe teknologji që përdoren për qëllime civile, por mund të shfrytëzohen edhe për zhvillimin, prodhimin ose forcimin e kapaciteteve ushtarake.

“Marrëveshja nuk është e drejtuar kundër asnjë shteti apo grupi shtetesh dhe nuk pengon të drejtën e shteteve për të siguruar mjete legjitime për vetëmbrojtje”, tha një burim diplomatik i njohur me situatën.

Megjithatë, shton ai, qëllimi i Marrëveshjes është që eksporti të kontribuojë në paqe dhe siguri ndërkombëtare dhe të mos lejojë që armët të bien në duart e terroristëve.

Problemi i Malit të Zi

Nismën për t’iu bashkuar Marrëveshjes, Mali i Zi – anëtar i NATO-s dhe kandidat për BE – e paraqiti 10 vjet më parë.

Qeveria thekson se ka plotësuar të gjitha kushtet formale për anëtarësim.

Përveç përshtatjes së legjislacionit, Ministria e Punëve të Jashtme – kompetente për çështjen e anëtarësimit – ka theksuar për REL-in se procesi ka edhe një dimension të gjerë politik, pasi pranimi kërkon konsensusin e 42 vendeve anëtare.

“Megjithatë, vendimi përfundimtar, i bazuar në konsensus, për pranimin do të varet nga rrethanat gjeopolitike dhe klima brenda Marrëveshjes të Vasenarit, veçanërisht nga pozicioni i Federatës Ruse”, thuhet në dokumentin e Qeverisë.

Komisioni Evropian në raportin e këtij muaji për Malin e Zi ka konstatuar se nuk ka pasur përparim në çështjen e anëtarësimit.

“Për Malin e Zi kjo është një detyrë në kuadër të procesit të integrimit në BE, por BE-ja duhet të tregojë mirëkuptim për faktin që këtu ekziston një palë e tretë. Në këtë rast, Federata Ruse merr vendimin, jo institucionet e BE-së”, tha për REL-in analisti ushtarak Aleksandar Radiq.

Radiq shtoi se një sjellje e tillë e shteteve të treta nuk është korrekte, por se ato kanë të drejtë ta bëjnë këtë si anëtare.

Megjithatë, ai thekson se Mali i Zi tashmë po vepron sipas rregullave të Marrëveshjes së Vasenarit, duke veçuar cilësinë e lartë të raporteve malazeze për eksportet në krahasim me ato të vendeve të tjera.

Veprimi i Rusisë në Marrëveshje – problem për SHBA-në dhe BE-në

Sjellja e Rusisë në kuadër të Marrëveshjes së Vasenarit është vërejtur edhe nga Brukseli dhe Uashingtoni.

Në një dokument të Parlamentit Evropian nga nëntori 2023 thuhet se Marrëveshja po përballet me sfida “për shkak të anëtarësisë së Rusisë dhe situatës së ndryshueshme gjeopolitike”.

“Struktura e anëtarësimit e bazuar në konsensus ka ngritur shqetësime për efektivitetin e tij. Shtetet e Bashkuara kanë shprehur rezervat për respektimin e paktit nga Rusia, duke përmendur pjesëmarrjen e saj në sulme kibernetike dhe përpjekjet për të siguruar teknologji të ndjeshme”, thuhet në dokument.

Serbia dhe Shqipëria “në pritje”?

Mali i Zi nuk është i vetmi që pret anëtarësim.

Analisti ushtarak Aleksandar Rodiq tha për REL-in se edhe Serbia është në listën e vendeve që presin anëtarësimin.

Aleksandar Radiq.
Aleksandar Radiq.

Komisioni Evropian në raportin për Shqipërinë ka theksuar se “përfundimi i procesit të anëtarësimit është bllokuar nga një prej shteteve pjesëmarrëse”.

Raporti nuk specifikon se për cilin shtet bëhet fjalë.

Nga Ambasada e Shqipërisë nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjen e REL-it nëse bëhet fjalë për Rusinë.

Kroacia, anëtare e BE-së dhe NATO-s, këtë vit shënon 20-vjetorin e anëtarësimit në Marrëveshjen e Vasenarit.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë i thanë REL-it se anëtarësimi në këtë Marrëveshje tregon se shteti ka një sistem të zhvilluar dhe të besueshëm të kontrollit të eksportit.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e sotëm gjeopolitik, në të cilin teknologjitë e avancuara – si inteligjenca artificiale, gjysmëpërçuesit e avancuar dhe teknologjitë kuantike – mund të përdoren për represion ose qëllime ushtarake”, thanë nga Ministria.

Shumica e vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s janë pjesë e kësaj Marrëveshjeje./REL