Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, në takimin e 24-të të Komitetit të Përzier Parlamentar BE-Maqedoni e Veriut i cili sot dhe nesër mbahet në Parlamentin Evropian në Strasburg, tha se vendi vazhdon me zbatimin e hapave thelbësore reformuese, si dhe me përgatitjen e investimeve të rëndësishme që do të përforcojnë harmonizimin ekonomik dhe institucional me Bashkimin Evropian, thuhet në njoftimin e MÇE-së.
Takimi, thonë nga atje, i kryesuar nga anëtarë të Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, iu përkushtua marrëdhënieve midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, me theks në të drejtat themelore dhe lirinë e shprehjes, sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit, progresin në negociatat e aderimit, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe stabilitetin rajonal, si dhe çështje në fushat e mjedisit, transportit, energjetikës, lidhjes infrastrukturore, digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale.
Murtezani iu referua prioriteteve kryesore të vendit në procesin evropian, duke theksuar përkushtimin drejt reformave në kuadër të Planit të Rritjes dhe Agjendës së reformave.
“Vendi vazhdon me zbatimin e hapave thelbësore reformuese, si dhe me përgatitjen e investimeve të rëndësishme që do të përforcojnë harmonizimin ekonomik dhe institucional me Bashkimin Evropian”, tha Murtezani.
Ai gjithashtu iu referua edhe vlerësimit të Raportit vjetor të Komisionit Evropian për vitin 2025, duke theksuar se raporti konfirmon progresin e vazhdueshëm të Maqedonisë së Veriut dhe se rekomandimet e Komisionit tanimë janë të përfshira në planifikimin nacional.
“Deri sa i miratuam Rekomandimet e përbashkëta të këtij Komiteti, duhet të rikujtojmë një premtim të bërë dy dekada më parë, në Selanik, se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në familjen evropiane. Ky premtim duhet të vazhdojë të jetojë jo vetëm me fjalë, por edhe përmes veprave. Për Maqedoninë e Veriut, rruga e së cilës ka qenë e gjatë dhe shpesh e përmbushur me sfida jashtë kritereve të Kopenhagës, rruga evropiane dhe anëtarësimi i plotë mbeten çështje e bindjes së fuqishme, e jo të komforit. Çdo reformë që zbatojmë përforcon bindjen tonë se Evropa është më e fuqishme kur mban premtimin e saj dhe se Unioni është i plotë kur ata që kanë pritur më gjatë përfundimisht pranohen si anëtarë të plotfuqishëm”, shtoi Murtezani.




