Radev: Ka ardhur koha që Maqedonia të nisë hetime dhe ndjekje penale për të gjitha sulmet ndaj bullgarëve

Ka ardhur koha që Maqedonia e Veriut të nisë hetime efikase dhe ndjekje penale për të gjitha sulmet ndaj bullgarëve, deklaroi presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, pas sulmit të ndodhur javën e kaluar në Shkup ndaj ish-gazetarit dhe publicistit Vladimir Perev, i cili është deklaruar bullgar, transmeton Portalb.mk.

Radev e bëri këtë deklaratë për mediat bullgare, duke iu përgjigjur pyetjes nëse Sofja do të kërkojë garanci më serioze për bullgarët në Maqedoninë e Veriut, për të shmangur përsëritjen e rasteve të tilla.

“Ka ardhur koha që Maqedonia të nisë një hetim efikas dhe ndjekje penale për të gjitha sulmet ndaj bullgarëve. Kjo është e vetmja mënyrë që ky vend të arrijë integrim evropian. Këtë ia kam thënë shumë qartë edhe presidentit edhe kryeministrit të këtij vendi. Në rastin e zotit Vladimir Perev, kjo është një mundësi shumë e mirë që të fillojë përfundimisht, pasi motivi dhe autori janë të qartë,” deklaroi Radev.

Më herët, lidhur me sulmin ndaj Vladimir Perev në Shkup, reagoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë. Ajo e dënoi sulmin, duke thënë se ai është nxitur nga atmosfera aktuale socio-politike dhe retorika anti-bullgare, dhe u bëri thirrje institucioneve të marrin masa efikase për hetimin e rastit.

Ndërkohë, ish-deputeti bullgar në Parlamentin Evropian, Angel Xhambaski, dërgoi një letër të hapur Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian, ku i bëri thirrje Brukselit të reagojë lidhur me sulmin.

Kujtojmë se, ish-gazetari dhe publicisti Vlladimir Perev, i deklaruar si bullgar nga vendi, publikoi se ishte sulmuar verbalish dhe fizikisht në një market në Shkup. Në një kolumnë të botuar në portalin Tribuna.mk, ai shkruan se u sulmua nga një burrë rreth të dyzetave, me të cilin po priste në radhën në market. Incidenti ka ndodhur të premten, ndërsa policia njoftoi se ka nisur procedurat për zbardhjen e rastit.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Në fund të muajit tetor, presidentja Gordana Siljanovska – Davkova deklaroi se marrëveshja me Bullgarinë nuk përmban nen për ndryshimin e Kushtetutës.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.