“Serbia i ka listat gati” – Paralajmërimi për ish-pjesëtarët e UÇK-së

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Qenaj, është arrestuar dje (e martë) nga autoritetet e Serbisë.

Lajmin e ka konfirmuar për gazetën “Bota sot” sekretari i OVL-UÇK, Gazmend Syla, si dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Në një njoftim për media thuhet se, posa kanë marrë informacionin për arrestimin e Qenajt, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Nuk është hera e parë që ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe qytetarë të Kosovës arrestohen nga Serbia.

Eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar arrestimin e Qenajt dhe ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së, duke e cilësuar këtë praktikë si një vazhdimësi të luftës hibride që Serbia po e zhvillon ndaj Republikës së Kosovës.

 

“Arrestimi i pjesëtarëve të UÇK-së mund të kuptohet si vazhdimësi e luftës hibride serbe ndaj Republikës së Kosovës. Serbia vazhdon me arrestime të njëpasnjëshme të pjesëtarëve të UÇK-së, duke pretenduar se kanë kryer krime lufte gjatë viteve 1998–1999. Serbia në vazhdimësi, me narrativën e saj propagandistike, po tenton që para popullit të vet dhe faktorit ndërkombëtar UÇK-në ta paraqesë si organizatë terroriste, kinse ka kryer krime lufte”, ka thënë Berisha për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, me këto arrestime Serbia po tenton t’i përdorë si mjet presioni politik ndaj Kosovës; rrjedhimisht, arrestimet e tilla janë pjesë e strategjisë edhe për konsum të brendshëm politik në vetë shtetin serb.

“Arrestimet e qytetarëve kosovarë sipas tyre ndodhin me arsyetimin kinse për trafikim armësh, organizim kriminal dhe terrorizëm, e që në fakt mendoj se Serbia po bën hakmarrje politike dhe luftë speciale për humbjet që i ka në raport me Kosovën. Përveç kësaj, mendoj se Serbia arrestimet e tilla i ka në strategjinë e saj për të destabilizuar Kosovën, me qëllim që të fitojë avantazh në qarqet ndërkombëtare”, ka nënvizuar ai.

Eksperti i sigurisë ka rikujtuar se institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar shumë herë për rrezikun e madh që i pret ish-luftëtarët nëse ata udhëtojnë nëpër Serbi.

“Andaj, personalisht më habit fakti pse pjesëtarët e UÇK-së dhe Policisë së Kosovës e nënvlerësojnë situatën politike mes dy shteteve, kur dihet se tani më është dëshmuar se Serbia në vazhdimësi po arreston kosovarët pa dhënë detaje e as llogari, madje as para faktorit ndërkombëtar. Fakti i dytë që na habit të gjithëve, ka të bëjë me mosmonitorimin e këtyre arrestimeve arbitrare nga faktori ndërkombëtar, njëherit me neglizhencën e tyre për të ushtruar presion të duhur në zbatimin e ligjit ndaj të arrestuarve nga Kosova”, ka theksuar ai.

Në fund, Berisha ka thënë se arrestime të tilla nga autoritetet serbe sigurisht që do të ketë, meqë Serbia posedon listën e zgjeruar të pjesëtarëve të UÇK-së.

Andaj, sipas tij, duhet zbatuar mesazhin e institucioneve të Kosovës për të mos udhëtuar nëpër shtetin serb, por të shfrytëzohen shtete dhe rrugë të tjera, në mënyrë që të mos rrezikohet arrestimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës.