Dita e tretë e protestës: Prishtina sërish pa autobusë

Prishtina as sot nuk ka linja të autobusëve. Punëtorët e Trafikut Urban dhe atij privat do të protestojnë sërish, për shkak të mosmarrjes së pagave.

Të martën, ata zbarkuan me autobusë nëpër rrugët e Prishtinës, nga Komuna deri te Qeveria, për të shprehur pakënaqësitë e tyre.

Protestuesve dje iu bashkua edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili akuzoi Qeverinë për bllokim të buxhetit dhe për “sabotazh” ndaj Komunës.

Ai u deklarua i gatshëm për një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për krizën, por deri në këto momente një takim i tillë nuk ka ndodhur.

Ndërkohë, qytetarët e Prishtinës vazhdojnë të përballen me vështirësi të mëdha në lëvizje, duke u detyruar të kërkojnë alternativa të tjera ose të ecin në këmbë për të përmbushur obligimet e përditshme.

Situata po rëndohet çdo ditë, ndërsa zgjidhja duket ende larg./Klankosova.tv