Shkruan: Shkëlzen HALIMI
“Në përputhje me nenin 4-b të Ligjit për çmimet shtetërore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 52/06, 54/07, 74/12 dhe 99/18), dhe ligjit për përdorimin e gjuhëve (Gazeta Zyrtare Nr. 7/19), me Çmimin shtetëror „22 Nëntori“ u jepet mirënjohja njerëzve nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë kontribuar në avancimin e bashkëjetesës ndërnjerëzore dhe mirëkuptimin e ndërsjellë midis pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme, kulturore dhe fetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
Kështu thuhet në vendimin e themelimit të këtij Çmimi, i cili edhe pse nuk figuron askund në përmbajtjen e mësipërme, identifikohet me shqiptarët.
22 Nëntori për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut është një datë e shënuar, sepse kjo datë përkon me Ditën e Alfabetit dhe në këtë ditë, krahas disa manifestimeve ku shqiptarët janë shumicë, po në këtë ditë ndahet edhe Çmimi “22 Nëntori” (kryesisht personaliteteve shqiptare), por që në vendimin e themelimit të këtij Çmimi askund nuk përmendet se kjo datë përkon me Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe, por jepet një arsyetim që më shumë është në frymën e bashkim –vëllazërimit jugosllav se sa me realitetin e tanishëm.
Prandaj, që gjërat të jenë në rregull, dikush (e dihet se kush) duhet shtruar kërkesë deri te Ministria e Kulturës që kjo çështje të korrigjohet dhe kësaj date t’i jepet pesha e merituar dhe çmimi të ndahet për kontribut të jashtëzakonshëm në gjuhësinë, letërsinë dhe historinë shqiptare, gjë që do të ishte pikërisht në frymën e Kongresit të Alfabetit (mbajtur në Manastir, në vitin 1908).
Pos kësaj, duhet shqyrtuar seriozisht edhe çështjen e kritereve të zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit, të cilët bëjnë përzgjedhjen e fituesve të këtij Çmimi. Duhet t’i jepet fund praktikës së delegimit të militantëve partiak, por edhe mbylljen e “kanaleve miqësore e grupore” që e çojnë ujin te “fituesi”. Nëpërkëmbja e kësaj date tregon se te “elitat” shqiptarët akoma është prezent frika nga e vërteta dhe se improvizimi vazhdon të jetë kod identifikimi dhe veprimi, e që në fakt në masë të madhe vazhdon ta cenojë identitetin shqiptar.




