Menduh Thaçi u takua me ambasadorin Francës në RMV z.Christophe Le Rigoleur

Sot, në selinë e partisë, kryetari i PDSH-së, z. Menduh Thaçi, priti për herë të parë në takim ambasadorin e Republikës së Francës në Maqedoninë e Veriut, Shkëlqesinë e Tij z. Christophe Le Rigoleur, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij Ardian Ramadani përkthyes dhe pjesë e stafit, si dhe znj.Ljupka Dimova atashe gjuhësore.
Gjatë takimit u diskutua mbi situatën aktuale politike në vend, me theks të veçantë në proceset integruese drejt Bashkimit Evropian. Kryetari Thaçi vlerësoi lartë rolin dhe kontributin e Francës në mbështetjen e vazhdueshme të këtyre proceseve.
Ai theksoi se ngecjet në rrugën e Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave me BE-në janë shqetësuese dhe kërkojnë ndërmarrjen urgjente të hapave të nevojshëm për zhbllokimin e këtij procesi. Kryetari Thaçi ritheksoi se Partia Demokratike Shqiptare do të vazhdojë të jetë një zë kritik ndaj çdo pengese që ndikon negativisht në integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.