Ulet interesimi i qytetarëve për vaksinim kundër gripit sezonal

Për dallim nga javët e kaluara, kur interesi i qytetarëve për tu vaksinuar kundër gripit sezonal arriti deri në mbi 500 persona në ditë, tashmë ka filluar të vërehet një rënie e dukshme e interesimit për imunizim. Ajo që bie në sy është mungesa e interesit nga dy prej kategorive më të rëndësishme, gratë shtatzëna dhe fëmijët deri në moshën 5 vjeç. Edhe pse këto grupe konsiderohen veçanërisht të rrezikuara nga komplikimet e gripit, si infeksionet e rënda të rrugëve të frymëmarrjes, shtrimet në spital dhe rreziku i ndërlikimeve gjatë shtatzënisë, pjesëmarrja e tyre në procesin e vaksinimit ka qenë pothuajse simbolike.

“Më së shumti kemi pasur kategorinë të moshuarit mbi moshën 65 vjeçare dhe të sëmurit me sëmundje kronike, kemi pasur shumë pak fëmijë prej moshës gjashtë muaj deri në 5 vjeç, gra shtatzëna për fat të keq nuk kemi pasur këtu në poliklinikën ton Bit Pazar… Neve kemi pasur terminë d.m.th me dy ndërrime, ndërrimi parë 300 pacientë dhe ndërrimi i dytë 300 pacientë, dm.th gjithsej 600 pacientë në ditë, numri ka qenë shumë i lartë me të vërtetë”, deklaroi Kefaet Latifi Qaili, pediatre.

Prej rreth 80 mijë dozave të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë për vaksinimin sezonal kundër gripit, mbi 70 mijë qytetarë nga grupet me rrezik të shtuar kanë marrë vaksinën pa pagesë. Ndërkohë, Qendrat e Shëndetit Publik kanë vënë në dispozicion edhe një sasi të kufizuar vaksinash me pagesë për qytetarët që nuk i përkasin kategorive të rrezikut, prej të cilave më shumë se një mijë persona janë imunizuar.

“Sipas të dhënave nga Administrata e Shëndetit Elektronik, që nga fillimi i fushatës së vaksinimit, gjithsej 73.145 persona nga kategoritë e rrezikut të popullsisë janë vaksinuar me vaksina falas. Qendrat e Shëndetit Publik kanë blerë 2.400 doza shtesë të vaksinave komerciale, si vaksina për pjesën tjetër të popullsisë që nuk bën pjesë në grupet e mësipërme, ku gjithsej 1.424 persona janë vaksinuar me vaksina komerciale”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë, gripi ka filluar të marrë hov, me raste që po rriten gradualisht nga java në javë dhe me një përhapje më të theksuar. /Alsat.mk/