300 specializantë presin punësim

Prej më shumë se një viti është premtuar punësimi i 600 specializantëve të rinj në sektorin e shëndetësisë, por deri më tani ky proces është realizuar vetëm për gjysmën e tyre. Nga Asociacioni i Specializantëve dhe Mjekëve të Rinj thonë se zvarritjet e vazhdueshme janë pasojë e hedhjes së fajit nga një institucion te tjetri, ndërsa situata e krijuar po i dëmton drejtpërdrejt mjekët e rinj që presin për punësim. Sipas tyre, shteti po “luan” me përditshmërinë e tyre duke mos i siguruar kushte të qëndrueshme pune dhe mbështetje të duhur financiare, çka po i shtyn gjithnjë e më shumë drejt largimit nga vendi.

“Absolutisht është demotivim e gjithë kjo që e shohim në… përsëri nëse shteti, konkretisht autoritetet shëndetësore nuk dëgjojnë thirrjet do të shohim largim më të madh të mjekëve. Për fat të keq do thosha se një numër i madh i kolegëve deri tani janë larguar dhe përderisa politikat e tilla që deri më tani kanë sunduar nuk ndryshojnë, ky numër sigurisht që do të rritet”, tha Bojan Trajkovski, Asociacioni i specializantëve dhe mjekëve të rinj.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se procedura për punësimin e 300 specializantëve të mbetur është në fazë përgatitore.

“Faza e parë tashmë është realizuar, ndërsa për punësimin e grupit të dytë prej 300 specializantësh të rinj, procedura ende është në fazë përgatitore. Aktualisht po verifikohen sistematizimet, planet e punësimit në institucionet shëndetësore dhe pas përfundimit të procesit zgjedhor, do të vazhdohet me procedurën e punësimit”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Prej vitesh, çështja e punësimit të mjekëve të rinj mbetet problem i pazgjidhur në shëndetësi, edhe përskaj mungesës së madhe të kuadrit me të cilën përballet sistemi shëndetësor. Vetëm vitin e kaluar mbi 500 mjekë janë larguar për në vendet evropiane, për shkak të mungesës së koordinimit institucional. Janë premtuar edhe 1200 punësime, por e njëjta nuk është realizuar./Alsat.mk