Qendra për fëmijët me nevoja të veçanta në Likovë mbetet e mbyllur, komuna nuk aplikoi për fonde në ministri

Fëmijët me nevoja të veçanta në Komunën e Likovës tani e dhjetë muaj kanë mbetur pa përkujdesje ditore, kjo për shkak se Qendra për fëmijët me nevoja të veçanta në fshatin Orizare i ka mbyllur dyert. Komuna e Likovës nuk ka aplikuar për fonde në Ministrinë e Politikës Sociale. Ndërkaq kjo qendër pritet të rihapet nëse shoqata “Blue Puzzle” nga Gostivari do të përfitojë mjete financiare nga thirrja e ministrisë, rezultatet e të cilës nuk dihet ende kur konkretisht do të shpallen, shkruan Portalb.mk.

Qendra për përkujdesje dhe trajtim të fëmijëve me nevoja të veçanta, e cila ofronte qëndrim ditor dhe trajtime individuale, ku disa fëmijë merrnin trajtim tre orë në javë, e disa të tjerë dy herë në javë, vazhdon të jetë e mbyllur prej më shumë se 10 muajsh për shkak se Komuna e Likovës dhe organizata joqeveritare (OJQ) “Imago Plus” nuk e vazhduan bashkëpunimin.

Ndërsa më 21 shkurt 2025 Komuna e Likovës dhe Shoqata e Prindërve të Fëmijëve me Autizëm “Blue Puzzle” Gostivar, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për ofrimin e kujdesit ditor dhe shërbimeve sociale për fëmijët me nevoja të veçanta në qendrën ditore të fshatin Orizare,Komuna e Likovës.

Pavarësisht kësaj marrëveshjeje, e njëjta nuk ka filluar të implementohet ende në praktikë. 

Komuna e Likovës nuk ka aplikuar në Ministrinë e Politikës Sociale në thirrjen publike të shpallur në dhjetor të vitit 2024 për financimin e shërbimeve sociale për vitin 2025. 

“Gjatë vitit 2024, shërbimi u financua përmes Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në bazë të një marrëveshjeje administrative lidhur midis ministrisë dhe komunës. Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se, pavarësisht shpalljes së thirrjes publike nga ana e Ministrisë në dhjetor të vitit 2024 për financimin e shërbimeve sociale për vitin 2025, Komuna e Likovës nuk ka aplikuar për të dhe për këtë arsye shërbimi për përfituesit nuk është ofruar në vitin 2025, domethënë nuk ka bazë për financimin e tij nga ministria”, thanë nga Ministria e Politikës Sociale.

Nga Komuna e Likovës për Portalb.mk arsyetohen se nuk kanë aplikuar në thirrjet publike në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë (MPSDR), por se kanë bërë një marrëveshje me Shoqatën e Prindërve të Fëmijëve me Autizëm “Blue Puzzle” në Gostivar, për rihapjen e qendrës.

“Është e vërtetë që Komuna e Likovës nuk ka aplikuar në thirrjen publike që është shpallur në dhjetor të vitit 2024, për vitin 2025 nga ana e Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, por ne kemi bërë një marrëveshje memorandiumi me Shoqatën e Prindërve të Fëmijëve me Autizëm “Blue Puzzle” në Gostivar”, thanë nga Komuna e Likovës. 

Sipas marrëveshjes, Komuna e Likovës merr përsipër të mbulojë shpenzimet mujore të rrymës, ujit dhe ngrohjes si dhe ofrimin e shërbimeve të internetit dhe shpenzimet e udhëtimit për transportimin e fëmijëve me pengesa në zhvillim nga shtëpia në qendrën ditore në fshatin Orizare dhe anasjelltas. 

Ndërsa sipas marrëveshjes, shoqata ofron shërbimet profesionale të kujdesit ditor dhe trajtimit social të fëmijëve me nevoja të veçanta. 

Në këtë marrëveshje nuk përmendet konkretisht se si do të sigurohet financimi i qendrës dhe i shërbimeve profesionale.

Nga Komuna e Likovës nuk tregojnë se si do të sigurohen fondet për këtë qendër dhe pse nuk kanë aplikuar në Ministri për financim në mënyrë që kjo procedurë të mos zvarritet me muaj siç ndodhi. 

Portalb.mk mëson se Shoqata “Blue Puzzle” ka aplikuar në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë (MPSDR), në kuadër të konkursit publik të shpallur në gusht 2025, duke kërkuar mbështetje financiare për qendrën në Orizare të Komunës së Likovës. 

Valon Emini, drejtor i Shoqatës së Prindërve të Fëmijëve me Autizëm “Blue Puzzle” nga Gostivari, për Portalb.mk tha se qendra do të hapet menjëherë pas nënshkrimit të dokumentit për financim nga ana e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

“Në momentin që do ta nënshkruaj dokumentin për financim Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, do të kemi financim nga ana e ministrisë. Nga ai moment, ne mund të fillojmë me punë, pasi jemi të licencuar, për këtë. Prandaj, tani presim vetëm që Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë të përfundojë procedurën e nënshkrimit”, tha Emini.

Ai theksoi se nuk ka informacione se sa do të zgjasë kjo procedurë dhe se kur do të nënshkruhet dokumenti, por sapo të ndodhë kjo, do të fillojnë me punë. 

Nga ana tjetër, Ministria e Politikës Sociale e konfirmoi për Portalb.mk se ka pasur vonesa për shkak të zgjedhjeve pasi dispozitat ligjore në vendin tonë parashikojnë kufizime për aktivitete të caktuara financiare/buxhetore gjatë periudhës zgjedhore. 

“Me miratimin e Përfundimit mbi Përfundimin e Zgjedhjeve Lokale 2025 nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve më 12.11.2025, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë vazhdoi me zbatimin e procesit të lidhjes së marrëveshjeve administrative me të gjitha shoqatat që aplikuan për Konkursin e lartpërmendur, pra, në përputhje me rregulloret ligjore, dhe në kohën më të shkurtër të mundshme, për shoqatat që plotësojnë kushtet sipas ligjit, Komisioni për Sigurimin e Fondeve do të përgatisë mendim për ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, i cili, bazuar në të njëjtin, do të marrë vendim për ndarjen e fondeve dhe do të lidhë marrëveshje administrative që rregullon të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e ndërsjella në realizimin e fondeve të ofruara”, thanë nga Ministria e Politikës Sociale. 

Megjithatë nga ministria nuk precizuan afat konkret se kur pritet të ketë rezultat konkret.

Përndryshe, Qendra për fëmijët me nevoja të veçanta në Orizare u mbyll pasi Komuna e Likovës dhe Organizata Joqeveritare (OJQ) “Imago Plus” nuk e vazhduan bashkëpunimin. Sipas drejtoreshës së OJQ-së “Imago Plus”, Zemrijete Bela-Veseliprobleme janë hasur edhe me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, e cila i vononte pagesat deri në tre muaj. Për këtë arsye, ata nuk kishin asnjë përfitim dhe nuk mund t’i mbulonin rrogat, ndërkohë që punëtorët kërkonin paga më të larta.

“Qendra për përkujdesje dhe trajtim të fëmijëve me nevoja të veçanta” në fshatin Orizare u hap më 26 korrik 2021, ky projekt është një nga premtimet parazgjedhore 2021/2025 nga Erkan Arifi, kryetari i Komunës së Likovës, dhe për realizimin e saj u investuan gjithsej 100 mijë euro.