Mickoski uron Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe: Kultura shqiptare është pjesë thelbësore e Maqedonisë

-Suksesi është projekt i përbashkët. Vetëm nëse veprojmë me respekt, besim dhe përgjegjësi mund të arrijmë rezultate që e shtyjnë atdheun përpara, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu drejtuar mbledhjes solemne të Qeverisë me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, “22 Nëntori”.

Kryeministri uron shqiptarët me rastin e kësaj dite, të cilën e cilësoi si një simbol të fortë historik dhe kulturor.

“Në Kongresin e vitit 1908, intelektualët shqiptarë bënë një hap të madh drejt krijimit të një alfabeti të unifikuar, themel i kohezionit gjuhësor dhe kulturor të shqiptarëve. Ishte një akt me rëndësi të thellë evropiane, një akt modernizimi të arsimit dhe hapjeje. Në një periudhë kur Ballkani po përballej me sfida të mëdha, Kongresi i Manastirit tregoi se fuqia e një shoqërie buron nga njohuria, gjuha dhe besimi në të ardhmen”, theksoi Mickoski.

Ai shtoi se kjo ditë është e rëndësishme edhe për Maqedoninë.

“Maqedonia është shtëpi e diversiteteve, që nuk na ndajnë, por pasurojnë historinë tonë kombëtare. Komuniteti shqiptar, me gjuhën, kulturën, traditën dhe vlerat e tij, është pjesë thelbësore e shtetit tonë. Sot, duke shënuar Ditën e Alfabetit, nderojmë gjeneratat që luftuan për arsimin, shkrimin dhe zhvillimin kulturor, por edhe të gjithë ata që e vazhdojnë këtë rrugë sot”, tha Mikcoski.

Mickoski theksoi se atdheu i përbashkët bazohet mbi idenë se çdo qytetar ka vend, vlerë dhe mundësi të barabartë.

“Prandaj, Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj politikave që ndërtojnë besim ndër-etnik, krijojnë hapësirë për zhvillimin dinjitoz të gjuhëve dhe kulturave dhe forcojnë kohezionin mes qytetarëve tanë. Kemi ambicie të ndërtojmë një shoqëri ku të rinjtë maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, boshnjakë, romë, vllehë dhe të gjithë të tjerët të shohin të ardhmen e tyre këtu. Një shoqëri ku çdo gjuhë është urë e jo pengesë, forcë e jo ndarje, pasuri e jo sfidë”, theksoi kryeministri.

Ai shtoi se Qeveria po punon aktivisht për projekte që krijojnë jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike: përmirësim të infrastrukturës dhe mundësive në çdo komunë, modernizim të shkollave, mbështetje për institucionet kulturore dhe hapje mundësish të reja për të rinjtë. Po zhvillohen programe për digjitalizim të shërbimeve, zhvillim ekonomik të komuniteteve lokale dhe forcim të institucioneve që kujdesen për barazinë dhe integrimin.

“Qëllimi ynë është që çdo qytetar, në çdo pjesë të vendit, ta ndjejë përparimin dhe të dijë se shteti është prapa tij. Kjo nuk është vetëm një detyrë politike, por një obligim moral ndaj gjeneratave të ardhshme”, përfundoi Mickoski.