Shembja e BDI-së nisi kur largoi intelektualët dhe ndaloi mendimin kritik

Shkruan: Florian NESIMI

Në skenën politike shqiptare po shfaqet një fenomen: partia që për dy dekada sundoi çdo pore të jetës institucionale, sot ka zgjedhur heshtjen dhe ikjen nga përgjegjësia si formë të vetme komunikimi. BDI-ja, e cila mbi 20 vite ishte pushteti real i shqiptarëve, sot nuk arrin të artikulojë asnjë qëndrim, asnjë autokritikë dhe nuk është në gjendje të krijojë një vizion të ri.

Asnjë deputet, asnjë ish-funksionar apo asnjë anëtar i kryesisë së kësaj partie nuk ka dhënë të paktën një mendim kritik në opinionin publik. Kjo heshtje nga figura që për vite të tëra kanë mbajtur poste kyçe tregon se brenda kësaj partie mungon debati i brendshëm dhe guximi politik.

Gjithë kjo situatë është tragjike pasi kjo flet për mungesën e intelektualëve brenda kësaj strukture politike. Për sa kohë ishin në pushtet, drejtuesit e saj i përzunë sistematikisht të gjithë intelektualët, kritikët dhe njerëzit me mendim profesional, duke krijuar kështu një strukturë të mbyllur dhe krejtësisht të paaftë. Një parti që ka dëbuar kapacitetin intelektual sot nuk ka as mekanizmat dhe as kulturën e nevojshme për t’u reformuar.

Sot BDI vuan pasojën e një modeli të ndërtuar për 22 vite, ku mendimi ndryshe nuk është kultivuar kurrë, ndërsa debati i brendshëm është zëvendësuar me lojalitet të verbër ndaj kryetarit.

BDI sot nuk po hesht vetëm sepse nuk ka çfarë të thotë, por hesht sepse nuk ka kush të flasë. Shikoni figurat kryesore të kësaj partie, të gjithë të konsumuar politikisht dhe pa perspektivë, por që vazhdojnë të mbeten në skenën politike për shkak të lojalitetit ndaj kryetarit. Kjo parti ka dështuar thellësisht në krijimin e kuadrove të reja profesionale dhe aty akoma vazhdojnë të promovohen njerëz sipas besnikërisë, e jo sipas dijes.

Reformimi brenda kësaj partie nuk do të ndodh asnjëherë për shkak të mos pranimit të humbjes në zgjedhjet e fundit. Sikur partia të pranojë humbjen në zgjedhje, atëherë pason analiza e rezultateve, debati i brendshëm, pranimi i mesazhit të votuesit dhe më pastaj vijojnë dorëheqjet dhe formimi i ekipit të ri udhëheqës. Mosreformimi dhe mungesa e konceptit të ri politik tregojnë se humbjet do të vijojnë edhe në zgjedhjet e radhës. Kjo sepse në politikë çdo gjë që merr teposhtën nuk mund të ngjitet sërish lart.

Nga ana tjetër, kjo situatë e heshtjes dhe mosreformimit krijon një boshllëk në terren dhe vakum politik. Në politikë boshllëku kurrë nuk mbetet bosh. Ai gjithmonë mbushet nga dikush tjetër. Sa më gjatë që opozita të mbetet pa reforma dhe pa vizion, aq më shumë hapet terreni për ndonjë opozitë të re. Historia politike e çdo vendi tregon se aty ku partitë e vjetra nuk reformohen, gjithmonë lindin alternativa të reja.